Shpërthimi i mbrëmshëm në Mitrovicën e Veriut, Elshani: Granata u hodh pranë një qendre të kontrollit teknik
Një incident i rëndë është raportuar mbrëmë vonë në Mitrovicën e Veriut, ku rreth orës 23:30 është regjistruar një shpërthim.
Sipas raportimeve fillestare, ngjarja dyshohet të ketë qenë rezultat i hedhjes së një granate dore.
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale për veriun, Veton Elshani, ka njoftuar se shpërthimi ka ndodhur pranë një qendre kontrolli teknik për vetura.
Në këtë incident fatmirësisht nuk janë raportuar persona të lënduar.
“Dyshohet për hedhje të granatës së dorës, afër qendrës së kontrollit teknik të veturave. Nuk raportohet për të lënduar”, ka thënë ai.
Policia është duke u kryer hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivet që çuan në këtë akt të dhunshëm.
Në veri të Kosovës, për dy javë që nga hapja e afatit të ri për riregjistrim, janë regjistruar rreth 1500 vetura me targa legale me RKS.
Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga data 1 nëntor deri më 1 dhjetor 2023 të mundësojë riregjistrimin e automjeteve nga targat e vjetra serbe në ato të reja të Kosovës.
Ky vendim, siç theksoi Qeveria në sqarim, është rezultat i një numri të madh kërkesash për riregjistrim të automjeteve./telegrafi