Kosova, për herë të parë pjesëmarrëse në Konferencën e Shteteve të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në Holandë

Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit, ka njoftuar se përfaqësuesit e Kosovës për herë të parë kanë marrë pjesë në Konferencën e Shteteve në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) në Mbretërinë e Holandës.

“Ne tre për në takimin e katërt të Konferencës së Shteteve në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP). Përpjekjet disavjeçare të kurorëzuara më 19 korrik 2023”, shkroi ai në Facebook, raporton Zeri.info.

Kujtojmë se më 19 korrik zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka dorëzuar instrumentet e aderimit të Republikës së Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (International Commission on Missing Persons) me seli në Hagë, gjë e cila shënon hapin përfundimtar për anëtarësimin e Republikës së Kosovës si anëtare në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

“Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës për dorëzimin e instrumenteve për aderimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, Ahmeti falënderoi drejtorin e Divizionit të Traktateve, z. Jules van Eijndhoven, për rolin konstruktiv të Qeverisë së Mbretërisë së Holandës, si shtet depozitar për konventën mbi themelimin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur”, thuhej në njoftim. /Zëri