Zelensky: Kushtoni vëmendje Ballkanit, Rusia e ka plan afatgjatë të shkaktojë tensione
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Ukraina ka prova që Rusia synon të nisë një luftë mes vendeve të Ballkanit.
“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione. Rusia ka një plan të gjatë. Së pari kemi pasur Lindjen e Mesme, shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”, ka thënë Zelensky dhe paralajmëroi për potencial të ri.
Presidenti ukrainas ka thënë se nëse partnerët e tyre nuk bëjnë asgjë tani, atëherë do të ketë një “shpërthim” tjetër.
“Nëse partnerët tanë nuk bëjnë asgjë tani, do të ketë një shpërthim tjetër dhe do të jetë një histori e re. Marrëdhëniet e tyre (të vendeve ballkanike) kanë qenë në krizë për një kohë të gjatë. Kjo është arsyeja pse Rusia do të investojë për të siguruar që një vend ballkanik (do të jetë) në luftë me një tjetër”, ka thënë ai.
Zelensky ka përmendur gjithashtu Moldavinë, ku tha se rusët “po fillojnë të nxisin situatën” dhe janë të interesuar të “rrënojnë” qeverinë aktuale pro-evropiane. “Moska dëshiron të ndajë ndihmën dhe vëmendjen e botës mes shumë vendeve”, ka thënë tutje ai, raporton The New Voice of Ukraine, përcjell Dukagjini.
Më herët, Zelensky është shprehur se Rusia po shqyrtonte disa skenarë për luftën e saj kundër Ukrainës. Në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Granada të Spanjës, ai ka shtuar se një nga këta skenarë është ngrirja e luftës dhe rivendosja e potencialit të saj ushtarak, më 2028 që mund të bëhet një “moment kritik”.
“Rusia atëherë do të ketë fuqi të mjaftueshme për të sulmuar vendet që janë në fokusin e zgjerimit të saj. Përveç Ukrainës, këto janë padyshim shtetet baltike dhe vendet ku trupat ruse janë të pranishme”, ka shtuar tutje presidenti Zelensky.