Kryhet një operacion i rrallë në QKUK

Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se për herë të parë në Klinikën e Otorinolaringologjisë(ORL) të QKUK-së është kryer një ndërhyrje e rrallë kirurgjike në hundë.

Ky operacion ka zgjatur mbi tri orë dhe është kryer me metodën e re FESS, raporton Zeri.info.

Operacioni është kryer vullnetarisht nga dr. Arsim Thaqi, i cili ka specializuar dhe punuar në institucione të ndryshme në Gjermani.

“Pacienti E.D., 19-vjeçar, ishte me diagnozë Angiofibroma Juvenile (tumor i indit lidhor dhe enëve të gjakut në hundë e pjesët përreth hundës).

Para operacionit atij i ishin kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme diagnostike, përfshirë Tomografi të Kompjuterizuar (CT) dhe Rezonancë Magnetike ( MRI)”, thuhet në njoftim.

SHSKUK-ja bëri të ditur se një operacion i tillë jashtë vendit do të kushtonte rreth 15mijë euro. /Zëri