Hoti: Deri në fundvit kjo qeveri do t’i shpenzojë 8.1 miliardë euro, efektet të pavërejtshme

Kuvendi i Kosovës është duke e shqyrtuar sot Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kjo qeveri gjatë mandatit qeverisës ka në dispozicion 11.4 miliardë euro dhe se me mbarimin e këtij vitin shpenzohen 8.1 miliardë euro, porse efektet janë të pavërejtshme.

“Gjatë këtij mandati qeverisës 2021-2024, në total kjo mazhorancë ka menaxhuar, me buxhetin e vitit 2024, menaxhohen 11.4 miliardë euro, pra ka pas në dispozicion për të shpenzuar. Deri më tani janë shpenzuar, pra me mbarimin e këtij viti, shpenzohen 8.1 miliardë euro dhe më duhet ta them dhe ta përsëris që efektet konkrete janë shumë të pavërejtshme. Njëra nga arsyet që besoj se është shumë e qëndrueshme është se ka ndërru struktura e buxhetit, është përkeqësuar struktura e buxhetit”, tha Hoti.

Sipas Hotit, është përkeqësuar struktura e buxhetit. Ai ka bërë një krahasim mes viteve 2017 dhe 2022.

“Nëse e krahasoni vitit 2017 me atë të vitit 2022, investimet kapitale kanë rënë nga 36 për qind në 16 për qind të buxhetit si shpenzim real. Ndërsa subvencionet janë rritur nga 23 për qind në 41 për qind të buxhetit. Kjo është arsyeja pse nuk shohim efekt real në rritjen ekonomike në vend nga ky buxhet”, ka thënë Hoti. /express