Halitjaha: Rexhep Selimi, një prej atyre që s’dolën as një orë jashtë fushëveprimit të luftës

Dëshmitari Sadik Halitjaha ka thënë se Rexhep Selimi është njëri prej atyre personave që nuk është larguar asnjëherë nga fusha e luftës që nga fillimi deri në mbarimin e saj.

Halitjaha e tha këtë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes se Hashim Thaçit përmes avokatit, Gregory Keohe.

“Ndër të rrallët që nuk kam dalë as një ditë, as një orë jashtë fushëveprimit të luftës, besoj se këtu e kem edhe Rexhep Selimin, është njeri prej atyre që nuk kanë dalë kurrë nga fusha e luftës nga fillimi deri në mbarim”, tha Halitjaha..

Veç të tjerash, Halitjaha tha se ofensiva e vjeshtës së vitit 1998, përveç UÇK-së, ishte e vështirë edhe për popullatën civile.

“Ishte problemi i popullatës civile që i nxori nga shtëpitë, i djegu të gjithat, ata në vështirësi i kemi strehu nëpër tenda, në perroje, lugina të lumenjve dhe i kemi mbrojtë në kodrat përreth tyre me çdo kusht, me çdo gjë dhe me jetën tonë i kemi mbrojtë dhe nuk kanë qenë pak, 15 mijë kanë qenë në Vanishtë. 75 mijë deri në 80 mijë në Divjakë, Krojmirë në atë pjesë, 42 mijë në Luginën e Pagarushes, 12 mijë civil në Malet e Panorcit, 8 mijë civil kanë qenë në Malet e Domanekut, 5 mijë kane qenë në Kabash. Kështu që mbi 200 mijë civil jemi detyru t’i mbajmë nëpër tenda të strehuar nëpër pyje tona”, tha Halitjaha.

Halitjaha tha se këtë përgjegjësi ia kishin dhënë vetes dhe se nuk i kishin obliguar askush.