Nisin takimet në Bruksel, Lajçaku fillimisht takohet me Petkoviqin e pastaj me Bislimin
Në Bruksel tashmë kanë nisur takimet në nivel kryenegociatorësh, në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi.
Telegrafi mëson se takimi i parë mes kryenegociatorit serb Petar Petkoviq dhe përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka nisur në orën 09:30.
Pas këtij takimi Lajçaku do të ketë një takim me kryengociatorin kosovar Besnik Bislimi. Pas takimeve dypalëshe Lajçaku do të mbajë një takim trepalësh me të dy kryenegociatorët.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar mbrëmë se Bislimi do të marrë pjesë në takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut, ku do të trajtohet zbatimi i Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit, Aneksit Implementues të 18 marsit dhe planin e ri për ecjen përpara i 21 tetorit.
Ndërkaq, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një konferencë për media pas takimit mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe emisarin Mirolsav Lajçak është shprehur se në këtë takim do të diskutohet për draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.