Integrimi i Kosovës në BE, temë e takimit të Krasniqit dhe Varhelyit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në kuadër të vizitës në Bruksel është takuar me komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Ata kanë diskutuar për procesin e integrimit të Kosovës në margjinat e Bashkimi Evropian dhe rëndësinë që ka ky proces për shtetin, raporton Zeri.info.

Krasniqi ka theksuar se kjo temë është një ndër misionet dhe çështjet jetike që synon PDK-ja të realizojë.

“Gjatë vizitës sime në Bruksel, takova edhe komisionarin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi. Bashkë diskutuam për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe rëndësinë që shteti ynë të mos lihet mbrapa në këtë proces.

Për shtetin dhe qytetarët tanë, është tejet e nevojshme që perspektiva evropiane të jetë e qartë dhe e prekshme. Për PDK-në, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe institucionet euroatlantike është vizioni, misioni dhe rruga e vetme përpara”, shkroi Krasniqi në Facebook. /Zëri