Për herë të shtatë, dështon konstituimi i Komisionit Hetimor për rezervat

Ka dështuar për herën e shtatë konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore.

Kjo për shkak të bojkotimit të deputetëve të pozitës për të marrë pjesë në konstituimin e këtij komisioni.

Ky bojkotim i mazhornacës është duke ndodhur pasi, sipas tyre, opozita nuk është duke votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

Duke parë që konstituimi i këtij komisioni nuk është duke u bërë për shkak të këtij bojkoti, deputet e opozitës kërkuan që në mbledhjen e radhës të mbahet seanca dëgjimore, si dhe të krijohet një komision i ri hetimor parlamentar në lidhje me kontrata një burimore, shkruan Ekonomia Online.

Kryesuesi i këtij Komisioni Rashit Qalaj, tha se konstituimi i këtij komisioni është duke dështuar qëllimshëm nga deputetët e LVV-së që të mos bëhen publike dyshimet për keqpërdorime.

Sipas tij, në plan ka qenë të ftohet kryeministri Albin Kurti, që të pyetet në lidhje me ndarjen e buxhetit prej 10 milionë eurove.

“Sot është tentativa e shtatë për konstituimin e Komisionit dhe po e shihni që edhe pas shtatë tentativave deputetët e LVV-së janë duke bojkotuar punë e këtij komisioni me qëllimi. Me qëllimi që ato dyshime të mos dalin në publik. Çështja e rezervave shtetërore që nga fillimi ka qenë e dyshimet. Ne deputetët e partive opozitare jemi konsultuar dhe kemi bërë një listë që kemi pasur në plan t’i ftojmë dhe t’i intervistojmë, që nga kryeministri i vendit dhe shumë të tjerë”, tha Qalaj.

“Ne kryeministrin kemi pasur që ta marrim në pyetje sepse i ka ndarë ato 10 milionë euro. Pastaj në rend dite kanë qenë që të ftohen edhe zv.kryeministri Besnik Bislimi që kanë udhëtuar më Turqi se bashku me ministren Hajdari për të arritur marrëveshjen për grurë. Ne planë kemi pasur që ta ftojmë edhe Ridvan Muharremini, i cili edhe është arrestuar për keqpërdorim për këtë rast. Kemi pasur që këtu ta sqarojmë se kush është ky person. Kemi pasur plan që të thërrasim edhe kompaninë turke, pastaj Kushtrim Dakajn nga ministria e Rozeta Hajdarit. Drejtorin e AKI-së, i cili është përgjegjës që është dashur që ta lëshojë edhe certifikatën e sigurisë”, tha ai.

Në anën tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, tha se duhet që Prokuroria t’i hetojë deputetët e LVV-së, të cilët nuk janë duke marrë pjesë në këtë komision.

Ajo tha se bojkoti i tyre është duke ndodhur pasi, sipas saj, deputetët e LVV-së mund të jenë të përfshirë në këtë aferë korruptive.

“Unë përtej gjithë akterëve që kanë qenë të implikuar, pres që prokurori t’i marrë në pyetje edhe anëtarë të këtij Komisioni që nuk janë duke ardhur. Unë nuk e di se ku e kanë hallin që nuk po vijnë, a e dinë diçka më shumë se në, a e dinë që janë bashkëkryerës në këtë vepër. Unë kam filluar të besoj që kjo është duke ndodhur vetëm për arsye politike. Unë mendoj që të kërkojmë Komision të ri hetimor për kontrata njëburimore”, tha ajo.

Ndërkaq, Pal Lekaj nga AAK-ja tha se në Kosovë nuk ka pasur Qeveri më të korruptuar dhe të dështuar se sa Qeveria e udhëhequr nga Kurti.

“Është hera e shtatë që nga mazhoranca injorohet ky komision hetimor ata duan që t’i ikin një të vërtetës, një hajnie. Është me të vërtetë keq që të bëhet kaq shumë hanji nga ata që kauza e tyre ka qenë të luftohet korrupsioni, mendoj që nuk kemi pasur qeveri më të dështuar dhe korruptive. Ne duhet të mos dorëzohemi, mendoj që ne të kemi një seancë dëgjimore dhe t’i drejtohemi kryetarit të Parlamenti që të shqyrtojë, edhe një herë anëtaret e këtij komisioni”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se për shkak të këtyre aferave korruptive edhe buxheti i ndarë nga Qeveria e Kosovës është më i vogël, duke i mbuluar, sipas tij, këto afera.