Analistët s’presin ndonjë rezultat konkret nga takimi i sotëm në Bruksel

Nga takimi në mes të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, nuk pritet të nxirren rezultate konkrete.

Kështu vlerëson njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri.

Ai thotë se edhe takimi i sotëm do të zhvillohet në atmosferë tejet të komplikuar, pasi qëndrimet e dy palëve vazhdojnë të jenë të kundërta.

“Edhe takimi i sotëm në Bruksel do të zhvillohet në atmosferë tejet të komplikuar. Qëndrimet e lidershipit kosovar dhe atij serb vazhdojnë të jenë diametralisht të kundërta. Përderisa Kryeministri Kurti insiston në njohjen de facto si parakusht të nisjes së zbatimit të Asociacionit, Presidenti Vuçiq vazhdimisht pohon se “Serbia kurrë nuk do ta pranojë shtetin e Kosovës”, ka thënë Muhaxhiri. Ndër të tjera, Muhaxhiri thotë se situatën e vështirëson edhe më shumë hyrja e Serbisë në periudhën e fushatës zgjedhore, pasi domosdoshmërisht ashpërsohet diskursi publik “duke përdorur fjalor të vrazhdë populist dhe nacionalist antikosovar”.

Sipas Muhaxhirit, ky takim nuk pritet të sjellë rezultate pozitive, pasi siç thotë ai, Kosova do të barrikadohet në pozicionin për njohje nga Serbia ndërsa pala tjetër për mosnjohje.

“Nuk ka shumë hapësirë premtuese për rezultate pozitive. Është e pritshme që të dyja palët të barrikadohen në pozicionet e tyre të ditura: Kosova në njohje, Serbia në mosnjohje. Pasi Kurti e Vuçiqi këtyre ditëve i kanë rreptësuar retorikat, është logjike të pritet që edhe përfaqësuesit e tyre të vazhdojnë me këtë stil të rëndë të dialogimit”, ka vijuar ai.

Në anën tjetër edhe njohësi i proceseve integruese, Agron Hoti nuk pret ndonjë mrekulli nga ky takim.

Ai vlerëson se në këtë takim BE-ja do të mundohet që t’i afrojë palët sa më shumë sa i përket përmbajtjes së Draft-Statutit të Asociacionit dhe se do të ketë presion që të arrihet dakordimi final për tekstin e këtij drafti dhe hapat e tjerë.

“BE në këtë takim të 16 nëntorit 2023 do të mundohet që t’i afrojë palët sa më shumë sa i përket përmbajtjes së Draft-Statutit të Asociacionit. Nuk pres ndonjë mrekulli nga ky takim, palët do të vazhdojnë të përdorin fjalë shpërqendruese për konsum të brendshëm, ndërkohë që para ndërmjetësve të BE-së do të ketë presion që të arrihet dakordësimi final për tekstin e Draft-Statutit dhe hapat tjerë”, ka thënë Hoti për Portalin Dukagjini.

Sipas tij, BE-ja do të këmbëngulë për rezultate konkrete, ku Kosovës do t’i kërkohet organizimi i zgjedhjeve në veri dhe fillimi i bërjes së Asociacionit, ndërkohë që Serbisë do t’i kërkohet konstruktiviteti në veri në mënyrë që atje mos të përsëritet rasti i sulmit në Banjskë.“Nuk pres rezultate konkrete. Palët do të mundohen të gjejnë arsyetime të ndryshme për t’u ikur sa më gjatë në kohë obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit. Së paku përvoja e gjertanishme na ka bindur për këtë. Meqë nuk dimë asgjë konkrete për rendin e ditës së takimit, e tëra që mund të themi mund të jetë vetëm hamendësim. Por, një gjë është e sigurt që BE-ja do të këmbëngulë për rezultate konkrete, në këtë rast Kosovës do t’i kërkohet organizimi i zgjedhjeve në veri dhe fillimi i bërjes së Asociacionit, kërkesa këto të përsëritura që sa e sa herë, ndërkohë që Serbisë do t’i kërkohet konstruktiviteti në veri në mënyrë që atje mos të përsëritet një Banjskë e dytë”, ka vijuar ai për portalin Dukagjini.

Ai thotë tutje se pa zbatim të marrëveshjeve nuk do të ketë rezultate në terren.

“Të gjitha këto takime që po bëhen kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë që pa u dakorduar palët për përmbajtjen e dokumenteve si dhe hapat për zbatimin e marrëveshjeve, vështirë që do të shohim normalizim të raporteve. Prandaj, edhe kërkesa e BE-së është që tanimë të fillohet me zbatim të marrëveshjeve në mënyrë që të shihen efektet e vërteta në terren”.

Ndryshe, sot pritet të takohen në Bruksel zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe negociatori serb, Petar Petkoviq në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Pas vizitës në Kosovë javën e kaluar, emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, javën e nisi në Beograd, atje ku takoi presidentin, Aleksandër Vuciq e kryenegociatorin e Serbisë në dialog, Petar Petkoviq.

E menjëherë pas këtij takimi, Petkoviqi tha se temat janë caktuar e që sipas tij, Asociacioni do të jetë kryefjala në Bruksel.

Por pala kosovare, kishte thënë se me Lajçakun janë dakorduar vetëm për takimin ndërkaq temat nuk i kanë përmendur.

Edhe pse Qeveria kishte konfirmuar se ato do t’i bëjë publike gjatë ditës së mërkurë, ky institucion deri në këto momente nuk ka konfirmuar asgjë.

Ndërkohë, as Bashkimi Evropian konkretisht nuk ka treguar temat e takimit të 16 tetorit, derisa ka shpjeguar se pse drafti i Asociacionit po trajtohet si dokument konfidencial.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, kjo është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar.

“Propozimi i BE-së nuk është bërë publik, pasi përpjekjet diplomatike janë në vazhdim. Ne kurrë nuk kalojmë dokumente zyrtare që diskutohen dhe presim të njëjtën gjë nga partnerët, pasi është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet”.

Për takimin e kryenegociatorëve, Bislimi dhe Petkoviqi, Stano ka thënë se do të fokusohet në hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimin e angazhimeve të palëve në dialog.