Kritikat për stadiumin “Fadil Vokrri”, Rama: Presim të bëhet tapeti hibrid, por synojmë të ndërtojmë stadiumin në Bërnicë
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka thënë se janë në përgatitje të hapjes së konkursit për ndërtimin e stadiumit të ri në Bërnicë, që do të jetë i kategorisë së katërt dhe do t’i plotësojë të gjitha standardet dhe kushtet e nevojshme për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Për ndërtimin e këtij stadiumi që do të jetë në fshatin olimpik, Rama pret edhe përkrahje nga niveli qendror.
Rama ka folur edhe për kritikat rreth gjendjes së stadiumit “Fadil Vokrri”, për të cilën thonë se është nën menaxhim të Federatës së Futbollit të Kosovës. E shkaku i numrit të madh të ndeshjeve që zhvillohen aty, thotë se ka bërë që të kemi një situatë të tillë me terrenin sportiv.
“Fusha e futbollit mbikëqyret nga Federata e Futbollit e Kosovës, pra është në menaxhim të tyre, mirëpo e dimë të gjithë që gjendja e stadiumit është në gjendje shumë e keqe për arsye se çdo ndeshje ndërkombëtare jo vetëm e Kosovës por edhe të skuadrave që kanë lojëra ndërkombëtare i luajnë aty, pra është e stërngarkuar, prandaj po them se për këtë arsye ne kemi punuar në terma të referencave për një konkurs ndërkombëtar për stadiumin e ri të futbollit në Bërnicë, e cila ka me qenë pjesë e fshatit olimpik ku ne jemi duke bërë projekte tjera për arenën multifunksionale, për pishinën olimpike etj.”, thotë Rama.
E sa i përket gjendjes së tapetit të “Fadil Vokrrit”, Rama së bashku me FFK-në e kanë menduar rikthimin e tapetit të gjelbër në atë hibrid. Kjo sipas tij do të arrihet brenda dy muajve.
“Normal që stadiumit i duhet një fushë e re dhe të jetë ndoshta edhe hibride jo çfarë është sot dhe kam bërë pyetje edhe presidentit Agim Ademi, më ka treguar që për një periudhë dy mujore ata do të investojnë dhe do ta transformojnë këtë fushën ekzistuese në një fushë hibride, e cila do të jetë shumë më funksionale dhe më e fortë se sa kjo aktuale që funksionalizohet për një periudhë kohore derisa ne ta ndërtojmë stadiumin e ri në Bërnicë”, u shpreh Rama, teksa thotë se kritikat e adresuara te ta, janë të pavenda.
“Ne nuk e kemi nën menaxhim fushën, mirëpo po them se duhet tash kur të fajësojmë dikënd me pas parasysh arsyen pse ka ndodh dhe neve na duhet një numër i madh i stadiumeve të reja. Duhet investime të mëdha në gjithë Kosovën, në infrastrukturën sportive dhe këtu duhet edhe një ndihmë e madhe edhe e nivelit qendror dhe FFK-së”, thotë tutje Rama.
Ndërsa i pyetur se a pret përkrahje nga niveli qendror, Rama ka një përgjigje epike.
“Po shpresoj se po, sepse këto (stadiume) nuk janë të miat personale, janë të kryeqytetit, pra duhet të punojmë së bashku që t’i ndërtojmë së bashku”.