Serbët e veriut kursyen 113 milionë euro për dy vjet – qeveria ua pagoi rrymën

Serbët kursyen 113 milionë euro, por kaq humbi shteti.

Vetëm për dy vjet, Kosovës i kushtoi goxha furnizimi me energji elektrike në veri për shkak të mos faturimit.

“Nuk kemi asnjë ndryshim në aspektin e mënyrës së mbulimit të kësaj kostoje. E vetmja mënyrë është përmes subvencionimit nga qeveria. Presim që deri në fund të vitit apo kurdo që është e mundshme të mbulohet kjo përmes subvencionimit. KOSTT-i s’ka asnjë mënyrë tjetër të mbulimit të këtyre obligimeve”, ka thënë për Klan Kosova Evetar Zeqiri, kryeshefi i KOSTT-it.

Opozita kërkoi sqarime shtesë. Ishte Avdullah Hoti ai që i bëri një pyetje udhëheqësve të KOSTT-it.

“Gjatë qeverive të kaluara janë mbërritur disa marrëveshje në proces të dialogut për problemin e energjisë në veri dhe nuk janë zbatuar. Në mandatin e kësaj qeverie është arritur një marrëveshje. Cilat kanë qenë detyrat e juaja nga ajo marrëveshje”, tha ai.

Zgjidhja për këtë s’duket të jetë fort larg, por që lidhet direkt me kompaninë serbe “Elektrosever”.

“Në momentin që ka marrëveshje me KEDS-in për operim si shpërndarës, do të zgjidhet problemi i energjisë në veri dhe ata do të instalojnë dhe faturojnë për inkasimin e të hyrave nga qytetarëve”, tha Jeton Mehmeti, kryesues i Bordit në KOSTT.

Të mërkurën, Komisioni për Buxhet, miratoi edhe një sërë raportesh financiare të agjencive dhe institucioneve që i raportojnë Kuvendit të Kosovës. /klankosova