Vetëm 120 fëmijë kaçanikas shkojnë në kopsht, të tjerët presin ndërtimin e çerdheve 

Çerdhja e vetme në komunën e Kaçanikut është ajo me emrin “Agimi” dhe aty kalojnë ditë 120 fëmijë, pesë nga të cilët janë me aftësi të kufizuara.

Institucioni i vetëm parashkollor në këtë komunë u ndërtua 4 vjet më parë, dhe kushtet në të janë të mira, raporton Kiks Kosova.

Kriteret janë të shumta, e njëri në veçanti le jashtë institucionit të gjithë fëmijët nëse njëri nga prindërit është i pa punë.

Për këtë prindërit në momentin e aplikimit duhet të dorëzojnë edhe vendimin mbi lidhjen e marrëdhënies së punës.

Përjashtimi bëhet vetëm në rastet kur prindërit janë të divorcuar ose kur njëri nga ta nuk jeton më.

Megjithatë, Fetije Kuka e cila menaxhon këtë institucion, ka bërë të ditur se në rastet kur lirohet ndonjë vend dhe në listën e pritjes ka kërkesa nga prindër që nuk janë të punësuar, u jepet hapësirë edhe atyre.

Megjithatë, sipas drejtorit të Arsimit në komunën e Kaçanikut, kjo është e vetmja mënyrë e pranimit të fëmijëve, për shkak të kërkesave të larta dhe mundësive të vogla.

Por, komunës së Kaçanikut i është premtuar nga ministria e Arsimit se në verën e vitit të ardhshëm do të nisë ndërtimi i dy çerdheve.

Njëra në Kaçanik të vjetër dhe tjetra në zonën e Dubravës, te fshati Rekë. /klankosova