Përfundon takimi i Kurtit me përfaqësuesit e Njësisë Speciale Intervenuese
Pas gati tri orësh ka përfunduar takimi i sotëm ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese.
Ende nuk dihen detajet e takimit pasi nuk ka pasur prononcim për media nga asnjëra palë.
Kryeministria do të del me një komunikatë lidhur me diskutimet mes dy palëve.
Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës më 1 nëntor, duke kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.
Ata kanë paralajmëruar protestë edhe për datën 7 nëntor, por ajo është pezullua pasi kryeministri Kurti iu ka premtuar se do t’i presë në takim për të gjetur zgjidhje lidhur me kërkesat e tyre.
E takimi i Kurtit vetëm me Njësinë Speciale Intervenuese, është i papranueshëm për Sindikatën e Policisë së Kosovës.
Kreu i kësaj sindikate, Imer Zeqiri, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nuk janë të informuar zyrtarisht për këtë takim. /telegrafi