Arijon Ibrahimoviq flet për aventurën e tij te Frosinone: Ibra idhulli im, shpresoj ta takoj

Arijon Ibrahimoviq, sulmuesi me prejardhje shqiptare dhe me shtetësi gjermane, ka dhënë një intervistë të thelluar për gazetën e njohur italiane “Corriere dello Sport”.

Në këtë bisedë, ai tregoi për emocionet e tij lidhur me transferimin e tij te skuadra e Frosinones dhe peshën e mbiemrit të tij të njëjtë me yllin suedez të futbollit, Zlatan Ibrahimoviq.

Në kërkim të një sfide të re dhe një mjedisi që do t’i lejonte të tregonte aftësitë e tij në fushën e lojës, talenti nga Kosova u shpreh që ka ndjenjë pozitive qysh në fillim të bisedimeve me zyrtarët e klubit italian.

“Kam qenë në kërkim të një vendi ku mund të zhvillohem si futbollist dhe të luaj rregullisht. Bisedat që kam pasur me drejtorin sportiv Angeloci dhe me trajnerin Di Francesko, më bindën që Frosinone është ambienti i duhur për të ndjekur këto ambicie”, u shpreh sulmuesi nga Prizreni.

Megjithatë, për një futbollist me mbiemrin Ibrahimoviq, ngjashmëria me Zlatan Ibrahimoviqin është e pashmangshme.

“Ibrahimoviq është mbiemri që e mbaj me krenari – është trashëgimia e familjes sime. Por jam i vetëdijshëm që në botën e futbollit ky mbiemër është bërë sinonim me ikonën, Zlatanin”, tha ai.

Zlatan Ibrahimoviq është një model për shumë të rinj, duke përfshirë edhe Arijonin, të cilin e ka frymëzuar së bashku me legjendën tjetër të futbollit, Cristiano Ronaldon, i njohur si CR7.

Arijoni, i cili ende nuk ka pasur kënaqësinë të takojë personalisht idhullin e tij, shpreson se një ditë do të ketë mundësinë të ndajë një moment me Zlatanin.

“Do të ishte një nder i madh për mua të takoja Zlatanin dhe t’i shtrëngoja dorën. Ndoshta ajo mundësi do të vijë në një ndeshje kundër Milanit”, tha Arijon Ibrahimoviq. /Telegrafi