LDK-ja akuzon Qeverinë për mungesë të rritjes ekonomike: Buxheti i 2024-shit s’është zhvillimor

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka mbajtur tryezë me temën “Projektbuxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024”. Aty u tha se buxheti për vitin 2024 nuk përbën zhvillim ekonomik, ndërsa ngritjen e koeficientit të pagave nuk e konsideron rritje për shkak të inflacionit.

Shefi i deputetëve të kësaj partie, Arben Gashi, tha se ndonëse jemi në vitin e fundit të kësaj Qeverie, nuk ka pasur asnjë projekt madhor zhvillimor.

“Nëse u kthemi ligjit të buxhetit të vitit të kaluar, mund të them se ka sjellë shumë probleme, sidomos për qeverisjen lokale ku shumë komuna kanë pasur probleme t’i shpenzojnë të hyrat vetanake deri në fund. Ka pas një qasje tendencioze ndaj komunave dhe është e papranuar. Ne si GP kemi kundërshtuar këtë dhe na është dashur që të përballemi me një ‘luftë parlamentare’ që këto të hyra vetanake t’u kthehen komunave”.

“Mungojnë projektet zhvillimore dhe ideja se si të qeveriset vendi. Jemi në vitin e fundit të kësaj Qeverie dhe nuk kemi asnjë projekt madhor zhvillimor, kryesisht është marrë me çështje social”, u shpreh Gashi.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se kur kanë qeverisur ata 36% e buxhetit është shpenzuar për investime kapitale. Duke komentuar rritjen e koeficientit për 5 euro, s’është reale veç mashtrim.

“Këtë buxhet duhet ta analizojmë. Masivisht ka shkuar në subvencione. Një vit normal siç kemi qenë ne, 36 për qind është shpenzuar në investime kapitale ndërsa tani kemi rritje të subvencioneve. Rritja e koeficientit prej 5 euro nga 105 në 110 euro, nuk përbën rritje reale. Vlerësimet tona janë se kjo rritje është më e vogël se sa rritja e inflacionit”, deklaroi tutje Hoti.

E deputetja Hykmete Bajrami kritikoi Qeverinë për ndarjen e mjeteve për komunat. Ajo tha se Komuna e Shtimes ka më shumë mbështetje se sa Komuna e Prishtinës, raporton EO.

Kritika për mospërkrahje nga niveli qendror pati edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.