Rizvanolli viziton KEK-un, menaxhmeti e siguron se do të ketë furnizim të rregullt gjatë dimrit

Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), respektivisht termocentralin "Kosova B", e vizituan ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli me bashkëpunëtorë, të cilët janë mirëpritur nga zv.kryeshefi ekzekutiv, Përparim Kabashi, kryesuesi i Bordit Arton Ahmeti dhe menaxhmenti i KEK-ut.

Kabashi e ka njoftuar ministren Rizvanolli për gjendjen aktuale, rezultatet e arritura, si dhe sfidat dhe proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u, e me theks të veçantë për implementimin me sukses të projekteve kapitale, si ai i Dilatimeve në Kaldatë e njësive B1 dhe B2 që njëherësh kanë qenë parakusht për implementimin e projektit të Elektro-Filtrave dhe pajisjeve për zvogëlimin e DeNOx-it, si dhe projekti i ndërrimit të zbarrave të Gjeneratorit në njësinë B1, i cili gjithashtu ka përfunduar me sukses.

Përveç projekteve kapitale, në dy njësitë e termocentralit "Kosova B" janë kryer edhe një sërë riparimesh të tjera, të cilat ishin planifikuar gjatë remonteve të rregullta vjetore, që kanë ndikuar në ngritjen e sigurisë se operimit.

Në vijim, Kabashi ka njoftuar ministren Rizvanolli se remontet dhe revizionet e rregullta vjetore janë realizuar me sukses edhe në njësitë A3 dhe A5 të termocentralit "Kosova A", ndërsa në njësinë A4 është duke u realizuar remonti i rregullt vjetor konform dinamikës së planifikuar dhe pritet të rikthehet në operim në fillim të muajit dhjetor.

Kabashi ka njoftuar se edhe Divizioni i Prodhimit të Qymyrit (DPQ) ka siguruar rezerva të mjaftueshme të lëndës së parë (qymyrit). Prandaj, duke u bazuar në të gjitha përgatitjet e bëra në tri divizionet e prodhimit, nuk ka mëdyshje që furnizimi nga prodhimi vendor do të jetë në nivel edhe gjatë sezonit dimëror.