Osmani nis vizitën në Portogali, pritet nga homologu portugez

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Portugali është pritur në takim nga presidenti Marcelo Rebelo de Sousa në pallatin presidencial “Belem” në Lisbonë.

Sipas presidentes Osmani, vizita e dytë në këtë shtet është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe, të cilat tashmë ndodhen në një fazë dinamike me fokus në intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Vizita e presidentes Osmani përkon me 15-vjetorin e njohjes së Kosovës nga Portugalia dhe lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.

“Ky është një moment i rëndësishëm dhe historik për ta shprehur mirënjohjen për shtetin dhe popullin e Portugalisë për kontributin e dhënë përgjatë viteve. Kjo mbështetje ka ndikuar shumë në avancimin e qëllimeve tona parësore në rrugën e integrimeve euroatlantike, forcimin e paqes dhe stabilitetit rajonal”, theksoi presidentja Osmani.

Më tej, presidentja Osmani ka theksuar se e sheh Portugalinë si një shtet mik brenda Bashkimit Evropian dhe më gjerë, ndaj tha se shpreson në mbështetje të mëtejme për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Në këtë kontekst presidentja ka falënderuar Portugalinë për mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave dhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe ka shfaqur shpresën se Portugalia do të përkrahë edhe dhënien e statusit kandidat në BE per Republikën tonë.

Një pjesë e takimit iu kushtua zhvillimeve të fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Presidentja Osmani e informoi homologun De Sousa dhe për zhvillimet e fundit në vend, si dhe mbi aktin e agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator, me ç’rast, potencoi rëndësinë e sjelljes para drejtësisë në Kosovë të grupit paramilitar serb dhe adresimin e përgjegjësisë së Serbisë në destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.

Presidentja poashtu potencoi se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova është palë konstruktive dhe se përmbyllja e këtij procesi përmes njohjes së ndërsjellë është e vetmja rrugë që do të sjellë paqe afatgjate në rajon.

Në këtë takim, presidentja Osmani dhe presidenti De Sousa kanë diskutuar edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të sfera të interesit të dyanshëm.