Specialja ia vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë kanë vazhduar masën e paraburgimit ndaj Rexhep Selimit.

Vendimi për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Rexhep Selimit është marrë nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, më 15 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendim thuhet se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar të vazhdohet masa e paraburgimit për Rexhep Selimin pasi nga shqyrtimi i fundit nuk kanë ndryshuar rrethanat që do të ndikonin në faktorët që mbështesin arsyeshmërinë e paraburgimit.

“ZPS-ja kërkon që paraburgimi i Selimit të vazhdojë pasi nga shqyrtimi i fundit i paraburgimit të Selimit nuk ka pasur asnjë ndryshim material të rrethanave që do të ndikonin në faktorët që mbështesin nevojën dhe arsyeshmërinë e paraburgimit. Konkretisht, ZPS-ja parashtron se transferimi i lëndës në Panel, ecuria e vazhdueshme e gjykimit dhe zhvillime të tjera të rëndësishme që i japin Selimit qasje të mëtejshme në informacione në lidhje me dëshmitarët e ndjeshëm dhe rastin kundër tij, shtojnë domosdoshmërinë dhe arsyeshmërinë e paraburgimit të tij”, thuhet në vendim.

ZPS-ja pretendon se ekziston rreziku i arratisjes. Konkretisht, ZPS-ja në parashtrimet e veta ka pohuar se Selimi është vënë në dijeni për akuzat kundër tij dhe për mundësinë e një dënimi të rëndë në rast që shpallet fajtor.

Sipas vendimit, ZPS-ja në parashtrimet e veta ka thënë se paraburgimi është i nevojshëm për Selimin për shkak se ekziston edhe rreziku i pengimit të ecurisë procedurale.

“ZPS-ja pohon se Selimi vazhdon të paraqesë rrezik për pengimin e procedurës. Ajo pohon se faktorët e rrezikut të vërejtur nga gjyqtari i procedurës paraprake, siç është konfirmuar nga Kolegji, mbeten dhe se nuk janë krijuar rrethana të reja që do të justifikonin gjetjet e ndryshme, përkatësisht: (i) pozitat me ndikim të kaluar dhe të tashme të Selimit në Kosovë, duke përfshirë si Ministër i Punëve të Brendshme dhe i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, do t’i mundësonte atij të ndikojë dhe të mobilizojë rrjetin e tij mbështetës; (ii) klima e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”); dhe (iii) avancimi i procedurës përmes së cilës z. Selimi vazhdon të ketë njohuri mbi provat që mbështesin akuzat e rënda kundër tij. ZPS shton se një klimë e përgjithshme e ndërhyrjes së dëshmitarëve vazhdon në Kosovë lidhur me këtë rast, për të cilin Paneli i Gjykatës së Apelit është pajtuar se është një konsideratë relevante”, thuhet tutje në vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Rexhep Selimit.

Veç të tjerash, në vendim thuhet se ZPS-ja në parashtrimet e veta e ka arsyetuar kërkesën për vazhdimin e masës së paraburgimit pasi sipas tyre ekziston rreziku se Selimi mund të kryej krime të mëtejshme.

“ZPS-ja parashtron se Selimi vazhdon të paraqesë rrezik për kryerjen e krimeve të mëtejshme. Në mënyrë të veçantë, ZPS-ja pohon se faktorët e vlerësuar nëse ekziston rreziku i pengimit të procedurave sipas nenit 41(6)(b)(ii) janë gjithashtu relevant kur shqyrtohet se a ekziston rreziku i krimeve të mëtejshme nëse Selimi lirohet”, thuhet tutje.

Ndërsa në parashtrimet e veta, mbrojtja e Selimit ka thënë se dështimi i përsëritur për të siguruar paraqitjen e njëpasnjëshme dhe me kohë të dëshmitarëve ka shkaktuar vonesa në proces gjë e cila pengon të drejtën e të akuzuarit për tu gjykuar pa vonesa.

“Mbrojtja e Selimit përgjigjet se qasja e ZPS-së për caktimin e dëshmitarëve në këtë rast vë në pikëpyetje nëse ajo ka ushtruar “zellin e veçantë” të kërkuar për të vërtetuar arsyeshmërinë e paraburgimit të Selimit. Në mënyrë të veçantë, Mbrojtja e Selimit argumenton se dështimi i përsëritur për të të sigurojë që paraqitja e njëpasnjëshme dhe me kohë e dëshmitarëve ka shkaktuar vonesa, të cilat pengojnë shpejtësinë e procedurës dhe, në këtë mënyrë, edhe të drejtën e Selimi për t’u gjykuar pa vonesa të panevojshme. Prandaj, Mbrojtja kërkon që Paneli të marrë të gjitha masat në dispozicion për të siguruar që e drejta e Selimit për t’u gjykuar pa vonesa të panevojshme respektohet”, thuhet në vendim.

Në përgjigje të kësaj, ZPS-ja në parashtrimet e vetë kishte thënë se argumenti se vonesat për caktimin të dëshmitarëve do të zgjasnin paraburgimin është tërësisht spekulative.

Tutje në këtë vendim, Paneli urdhëroi ZPS-në që për shqyrtimin tjetër të paraburgimit t’i dorëzojë parashtrimet e veta deri me 22 dhjetor ndërsa, përgjigjet e mbrojtjes jo më vonë se 4 janari 2024.  Pas përgjigjes së mbrojtjes, nëse ZPS-ja ka përgjigje mund ta dorëzoj deri me 9 janar 2024.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.