113 milionë euro pagoi Qeveria për dy vjet për rrymën në veri

Më shumë se 63 milionë euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2022 për mbulimin e energjisë së shpenzuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ka bërë të ditur kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Ndërsa në total për vitet 2021-22 shuma e paguar për veriun është 113 milionë euro.

I pyetur nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, lidhur me këto pagesa, Mehmeti tha se shuma totale është 63.1 milionë euro.

“Një ndër sfidat kryesore që është jashtë kontrollit të KOSTT-it e që është mbulimi i humbjeve të konsumit për pjesë veriore të Kosovës. Përshkrimi i përgjithshëm i performancës për vitin 2022, indikatorët kyçë të performancës tregon se gjatë vitit 2022 janë realizuar përveç treguesit që ka të bëjë me kërkesën”, u shpreh Mehmeti.

“KEDS dhe KESCO kanë refuzuar faturat për muajt korrik, gusht dhe shtator për vitin 2022 dhe KOSTT-i ka ngrotur kontest në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, ku vlera e faturave të kontestuar është 18.7 milionë euro”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, pyeti për shumën e ndarë nga Qeveria për pagesën e rrymës në veri për vitin 2021 dhe 2022.

“Nëse e shohim se vitin e kaluar janë ndarë 63 milionë euro e në vitin 2021 janë ndarë rreth 40 milionë euro, që vlera totale është 90 deri në 110 milionë euro për dy vjet”, u përgjigj Mehmeti.

“Sa prej tyre janë paguar nga Qeveria?”, pyeti sërish Hoti.

“Të gjitha pagesat për veriun janë paguar nga Qeveria”, u përgjigj Mehmeti.

Kritika për pagesat në veri të vendit pati edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

“Qeveria e Kosovës vazhdon të paguajë humbjet në veri dhe ajo që dua ta theksoj se edhe ish-qeveritë kanë paguar, por në një shumë më të vogël dhe më kujtohet se në kohën e ish-qeverisë 'Haradinaj' janë ndarë 1 milion euro dhe VV-ja sa ishte në opozitë nuk ka lënë gjë pa thënë”, u shpreh Lekaj. /EO