Gjobë shoferit në Ferizaj që voziti me shpejtësi dy herë më të madhe sesa ishte e lejuar

Policia e stacionit në Ferizaj sot rreth orës 10:45 në rrugën ‘’Driton Islami" ka ndaluar një shofer i cili kishte bërë tejkalim të shpejtësisë.

Shoferi F.M., 28-vjeçar, me veturë ka bërë tejkalimin e shpejtësisë, ku në zonën e kufizimit 50 km/h ka zhvilluar shpejtësi 108 km/h, transmeton Zeri.info.

“Ndaj tij, policia i shqiptoi një gjobë kundërvajtëse sipas Ligjit të komunikacionit rrugor me dënim 500 euro, 5 pikë negative dhe 1 vit masë mbrojtëse, heqje e patentës së shoferit”, njoftoi Policia.

Me këtë rast, Policia Rajonale në Ferizaj apelon tek shoferët e automjeteve të respektojnë shpejtësinë dhe shenjat e komunikacionit. Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë. /Zëri