Ministri gjerman thotë se Bundeswehri duhet të jetë sërish “i përgatitur për luftë”

Si duhet të jetë ushtria gjermane në të ardhmen sipas “Udhëzimeve të reja” të Ministrisë së Mbrojtjes? Një prej synimeve është që ajo “të jetë sërish e aftë për luftë”.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD) së fundmi shkaktoi një bujë reagimesh, kur tha se ushtria gjermane (Bundewehr) duhet të bëhet edhe një herë “gati për luftë”. Ai së pari përmendi termin (kriegstüchtig – që mund të përkthehet si i aftë/gatshëm për luftë) dhe hapi një diskutim publik me intervistat e javës së kaluar. Tani është e qartë pse: aftësia luftarake e Gjermanisë duhet të bëhet një maksimë, një udhëzues për veprim dhe një kuptim i ri i Bundeswehrit. Në “Udhëzimet e reja të Politikës së Mbrojtjes”, kjo shprehje përmendet në gjashtë herë.

Udhëzimet janë baza konceptuale detyruese e politikës gjermane të mbrojtjes dhe rishikohen gjendjen çdo 10 deri në 15 vjet. Hera e fundit ishte në vitin 2011, kur ministër i Mbrojtjes ishte Thomas de Maiziere (CDU).

Rusia – kërcënimi më i madh dhe i përhershëm

Udhëzimet e reja e përshkruajnë Federatën Ruse si “kërcënimin më të madh të përhershëm për paqen dhe sigurinë në zonën euro-atlantike.” Fokusi i Bundeswehrit është pra: mbrojtja e vendit dhe aleatëve të tij. Me Rusinë në mendje, Inspektori i ushtrisë gjermane, gjenerali Carsten Breuer thotë se Gjermania dhe partnerët e saj në NATO po përballen edhe një herë me kërcënimin ushtarak të një kundërshtari të barabartë. Edhe kancelari Olaf Scholz (SPD) supozon se agresioni rus në Ukrainë mund të zgjasë “shumë kohë”. Ndaj duhet të investohet më shumë në politikën e mbrojtjes.

Në këtë kontekst, është interesante të shihet se si Pistorius dhe Scholz e shohin të ardhmen e ushtrisë gjermane. Ata duan që Bundeswehri të jetë “shtylla kurrizore e sigurisë evropiane” dhe të bëhet “një gur themeli afatgjatë dhe i besueshëm i mbrojtjes konvencionale në Evropë”.

Gjermania duhet të përmbushë përgjegjësinë e saj ushtarake si vendi më i populluar dhe ekonomikisht më i fortë në mes të Evropës. Aleatët tradicionalë si SHBA, Franca apo Britania e Madhe nuk përmenden në “Udhëzimet e reja të Politikës së Mbrojtjes Gjermane”.

Gjermania – mbështetje dhe model për vendet më të vogla

Në vend të kësaj, vetë Bundeswehrit i është caktuar disi në mënyrë të ngathët roli i “partnerit mbështetës”. Kjo do të thotë se ai duhet të bëhet një model ushtarak dhe një komb ndihmës për anëtarët më të vegjël të NATO-s.

Konkretisht, për shembull, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e përbashkët ajrore të planifikuar dhe të quajtur “Mburoja e Qiellit Evropian” – e cila u inicua nga vetë Gjermania një vit më parë, ajo është bërë pa fqinjët e drejtpërdrejtë – Francën dhe Poloninë.

Përveç Gjermanisë, nënshkruese më 13 tetor 2022, në këtë iniciativë ishin edhe Britania e Madhe, Sllovakia, Norvegjia, Estonia, Letonia, Hungaria, Bullgaria, Belgjika, Republika Çeke, Finlanda, Lituania, Holanda, Rumania dhe Sllovenia. Ndërkohë asaj i janë bashkuar edhe Danimarka, Suedia, Austria dhe Zvicra.

Këto projekte përfshijnë edhe prokurimin e përbashkët të sistemeve të armëve. Në konferencën e Bundeswehrit, kancelari u bëri thirrje në mënyrë specifike kombeve të tjera – që të bashkohen.

Një shembull nga praktika: në fund të verës, sistemi anti-raketë IRIS-T SLM, i cili u përdor me sukses në Ukrainë, iu prezantua partnerëve evropianë. Estonia dhe Letonia nënshkruan më pas kontrata prokurimi në shtator. Nëndetëset po ndërtohen së bashku me Norvegjinë. Gjermania dëshiron të zvogëlojë pengesat për bashkëpunim në të ardhmen, në të njëjtat sisteme armësh mes partnerëve.

Industria e armëve nuk duhet të shqetësohet për të ardhmen

“Pika e kthesës”, një nocion i famshëm që ka përdorur kancelari Scholz, kur foli në Bundestag pas filimit të luftës në Ukrainë, do të thotë për të intensifikimi i bashkëpunimit me industrinë e armëve.

Olaf Scholz thotë se nuk heziton të flasë me industrinë dhe të pyesë ate se çfarë mund të bëjë. Sidomos sepse pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, nevojitet një ndryshim afatgjatë në politikën e mbrojtjes. Ai kërkon edhe porosi afatgjata nga industria e armëve.

Deri në fund të këtij viti pritet që në Bundestag të kalojnë edhe 50 projekte të kërkesave për armë. Atëherë dy të tretat e fondit special të Bundeswehrit prej 100 miliardë eurosh do të lidheshin kontraktualisht. Paratë e financuara nga kredia mund të shpenzohen plotësisht deri në vitin 2027/2028.

Po pastaj? Përgjigje të saktë ndaj kësaj pyetje nuk ka akoma, sepse buxheti normal për mbrojtjen, në planin afatmesëm financiar, ende nuk është rritur. E kur të harxhohet fondi special, buxhetit të mbrojtjes i mungojnë ende rreth 25 miliardë euro të tjera.

Premtimi dhe presionet

Megjithatë, kancelari u ka premtuar gjeneralëve gjermanë se do të gjendet patjetër një mënyrë që Bundeswehr të marrë fondet që i nevojiten – edhe kur fondi special të jetë konsumuar. Bëhet fjalë për “një përshtatje”, tha Scholz në konferencën e Bundeswehrit, çfarëdo që të thotë kjo në terma konkretë.

Kancelari nuk shpjegon se nga do të vijnë paratë. Por në të njëjtën kohë, ai premton se Bundeswehrit do t’i garantohen përgjithmonë dy përqind të PBB-së – deri në vitet 2030.

Por Olaf Scholz nuk ka legjitimitet politik të marrë vendime të tilla afatgjata. Gjithçka që mund të bëjë është të rrisë presionin mbi qeveritë e ardhshme federale për të mos kursyer përsëri në ushtrinë gjermane.

Në Gjermani nevojitet një ndryshim mentaliteti – në ushtri dhe në shoqëri

Sipas “Udhëzimeve të reja të Politikës së Mbrojtjes”, Bundeswehrit i duhet një “ndryshim në mentalitet” për t’u bërë “i gatshëm për luftë” -në rast nevoje mbrojtjeje. Ushtria gjermane është ende larg qëllimit të saj për të qenë “gati për veprim dhe luftim në çdo kohë”.

Ajo është edhe tepër e burokratizuar. Nga frika e gabimeve, vendimet nuk merren ose delegohen pafundësisht te njëri-tjetri. Prandaj, kancelari dhe ministri i Mbrojtjes duan një kulturë tjetër qëndrimi ndaj gabimeve. Scholz dhe Pistorius duan edhe një ndryshim në mentalitetin e shoqërisë – sepse ka “dyshime të konsiderueshme për qëndrueshmërinë” e Gjermanisë.

Si shembull, një oficer i lartë mjekësor citon vlerësimet e NATO-s sipas të cilave, në rast lufte, 200 deri në 300 ushtarë të plagosur rëndë do të duhej të transportoheshin çdo ditë nga krahu lindor (i NATO-s) në Gjermani në mënyrë që të operohen. Bundeswehri nuk ka kapacite të mjaftueshme për këtë, e këto kapacitete nuk i kanë as spitalet civile. Siç tha ai, vëzhgimet e tij deri më tani kanë tërhequr shumë pak vëmendje në Ministrinë e Shëndetësisë.

Zbatimi i “pikës së kthesës” të përmendur shpesh nuk ka të bëjë vetëm me Bundeswehrin, personelin dhe pajisjet e tij. Edhe shoqëria gjermane duhet të bëhet më elastike, për shembull kur bëhet fjalë për sulmet kibernetike dhe fushatat e disinformimit.

Kancelari thotë se nuk është “dhe aq pesimist” për këtë çështje dhe se shumica dërrmuese e kanë kuptuar se çfarë do të thotë “pikë kthese”. Por e ardhmja do ta dëshmojë këtë. /DW