Arrestohet në Prishtinë jordanezi i kërkuar nga Gjermania
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në vazhdën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar ka pranuar një kërkesë për bashkëpunim nga Gjermania.
Sipas Policisë, Gjermania kishte kërkuar arrestimin e një shtetasi jordanezo-gjerman, i cili më pas është arrestuar në një hotel në Prishtinë, transmeton Zeri.info.
“Kërkesa është përcjellë për zbatim te Departamenti i Policisë Kufitare i PK-së.
Në kërkesë të ardhur nga Gjermania kërkohej bashkëpunim në ndalimin e një personi të dyshuar për autoritetet gjermane. I dyshuari, i kërkuar nga autoritete gjermane, ishte me shtetësi jordaneze dhe gjermane”.
“Hetuesit policorë nga Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, pas një pune hetimore-operative, kanë arritur që në një hotel në Prishtinë të lokalizojë vendndodhjen e personit të cilin ishin duke u kërkuar”, ka njoftuar Policia.
Pas arrestimit, Policia ka gjetur se ai posedon dy palë dokumente (jordaneze e gjermane), por me identitet të ndryshëm, përfshirë moshën, në njërin dokument figuronte si 26 vjeç e në tjetrin 23 vjeç.
“Hetuesit policorë të dyshuarin e kanë shoqëruar në zyrë të FAST Kosova për të vazhduar me procedurat e parapara në raste të tilla. Pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë Themelore të Departamentit të Përgjithshëm në Prishtinë i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim. /Zëri