Konfirmohet nga drejtori i Mallorcas: Muriqi do të mungojë 4 deri në 6 javë

Vedat Muriqit do të jetë jashtë fushave për katër deri në gjashtë javë. Kështu ka bërë të ditur drejtori sportiv i Mallorcas, Pablo Ortells.

Sulmuesi pësoi lëndim në ndeshjen e së dielës ndaj Izraelit të zhvilluar në “Fadil Vokrri”, të cilën Kosova e fitoi me rezultat minimal 1-0.

“Unë e kuptoj që mund të jetë në 4-6 javë. Në fillim ajo që morëm nga Kosova është se mund të jetë diçka për gjurin, por në fund është një dëmtim muskulor”, zbuloi Ortells për “La Pizarra de Quintana”.

Tashmë është e ditur se Muriqi do t’i mungojë Kombëtares së Kosovë në dy ndeshjet e fundit të ciklit kualifikues për “Euro 2024”, ndaj Zvicrës (18 nëntor) dhe Bjellorusisë (21 nëntor).

Mungesa e tij padyshim se do të jetë hendikep i madh edhe për Mallorca, pasi sulmuesi dardan është një prej futbollistëve kyç.

29-vjeçari parashihet t’i mungojë “Piratëve” në ndeshjet ndaj: Atletico Madrid, Cadiz, Alaves dhe Sevilla.

Ndërkaq, nëse Muriqi mungon deri në gjashtë javë, i bie që ai mund të humbasë edhe ndeshjet ndaj Almerias dhe Osasuna.