Numri dy i KFOR-it thotë se viti i fundit ishte nga më sfiduesit në historinë e misionit në Kosovë
Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së numrit dy të misionit të KFOR-it, zëvendëskomandanti i deritanishëm, Jozsef Szpisjak tha se viti i kaluar ishte më sfiduesi për historinë e KFOR-it në Kosovë.
“Dua të theksoj se viti i kaluar ishte një nga më sfiduesit në historinë e KFOR-it. Sepse ne e gjetëm vetën duke reaguar në lehtësimin e një krizë pas krize, e shkaktuar nga dorëheqja e serbëve të Kosovës nga të gjitha institucionet në Kosovë vitin e kaluar më 5 nëntor, duke filluar bllokimin e rrugës prej 90 ditësh në muajin dhjetor. Kjo dorëheqje ka ndikuar më pas në rrjedhën e zgjedhjeve, duke ndezur një sërë ngjarjesh që kulmuan me tensione shtesë nga 29 maji, dhe së fundmi, më 24 shtator, është e domosdoshme të pranohet se këto ngjarje të ndërlidhura u ndikuan thellë nga incidenti i serbëve të Kosovës”, deklaroi ai.
Federico Bernacca që e morri komandën e zëvendësit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, tha se trashëgimia profesionale e paraardhësit të tij do të jetë busulla që do të drejtojë mandatin e tij, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutaë tha se Szpisjak ka shërbyer me nder në NATO dhe se ka bërë hapa të mëdhenj në përmbushjen e mandatit të KFOR-it në Kosovë.
“E di që ky vit ka qenë sfidues. Megjithatë, ju keni bërë hapa dhe përparim të jashtëzakonshëm për të ndihmuar në përmbushjen e mandatit të KFOR-it, duke ofruar asgjë tjetër veçse më të mirën partnerëve tanë të vendit nikoqir të Kosovës. Ju keni përmendur shpesh se qëllimi juaj ishte ta përmirësoni misionin tuaj. Nga sa kam vërejtur, ju po e lini KFOR-in dhe NATO-n në një pozitë shumë më të mirë. Në vitin e kaluar fushat tuaja të fokusit ishin: Menaxhimi i Hapësirës Ajrore të Kosovës, mbikëqyrja e Mbrojtjes së Forcave, Ekipet e Ndërlidhjes dhe Monitorimit (LMTs’), si dhe Grupi Mbështetës i Shtabit dhe Kampin Novo Selo. Për më tepër, ju keni përfaqësuar komandantin e KFOR-it në takimin e Komandantëve Ekzekutiv të Kosovës dhe keni pasur lidhje me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”, tha komandanti i ri i KFOR-it.