FOL: Qeveria duhet të mundësojë konsultimin dhe angazhimin e palëve të interesuara në procesin e anëtarësimit në BE
Lëvizja “FOL”, ka publikuar raportin “Si mund të përmirësojë Kosova konsultimin dhe angazhimin e palëve të interesuara në procesin e negociatave për anëtarësim në BE?”, raport i cili thellohet në përvojat e vendeve të rajonit në lidhje me rolin e shoqërisë civile, sektorin privat/odat ekonomike, akademinë, dhe palëve të tjera të interesuara në proceset e negociatave për anëtarësim në BE.
Raporti vë në qendër të vëmendjes rastin e Sllovenisë, Kroacisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, vende që iu nënshtruan integrimit gjatë një periudhe 10-vjeçare dhe gjithashtu shqyrton kontributet e OSHC-ve në politikëbërje pas anëtarësimit të vendeve të tyre në BE dhe Burbuqe Kastrati nga Lëvizja “FOL”, e cila prezantoj gjetjet e këtij raporti, shtjelloj procesin e deritanishëm të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE), duke filluar prej paraqitjes së kërkesës për anëtarësim në dhjetor të vitit 2021 , shtatë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe BE-së në vitin 2015.
Kastrati shpjegoj rastet e vendeve të rajonit të Ballkanit, tashmë anëtarë të Bashkimit Evropian, konkretisht rastin e Sllovenisë.
Sipas saj, një nga faktorët që dha një kontribut të rëndësishëm në suksesin e Sllovenisë në procesin e integrimit evropian ishte sektori i gjallë i shoqërisë civile, i nxitur nga një kulturë e bashkëpunimit me institucionet publike.
Gjithashtu, ajo tha se Komisioni Evropian gjithashtu nënvizoi rolin kryesor të OJQ-ve, që veprojnë si agjentë të shoqërisë civile, në informimin dhe përmirësimin e të kuptuarit të institucioneve, politikave dhe vlerave të BE-së në mesin e popullatës së përgjithshme në Slloveni. Gjatë procesit të anëtarësimit, Zyra e Komunikimit të Qeverisë Sllovene bashkëpunoi gjerësisht me OJQ të shumta për të shpërndarë informacione rreth institucioneve evropiane.
Kastrati gjithashtu shtjelloj edhe procesin e pranimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në vitin 2020, e cila mori një qasje nga lart-poshtë.
“Qeveritë negociuan me BE-në, duke miratuar legjislacionin përmes parlamentit përmes pazareve shpesh të ndërlikuara për të akomoduar interesa të ndryshme politike. Ky manovrim legjislativ lejoi pak hapësirë për liri veprimi politik. Shoqëria civile luajti një rol të konsiderueshëm, të profesionalizuara, të financuara nga burime perëndimore dhe të integruara në rrjetet transnacionale”, tha Kastrati, raporton EO.
Në fund Kastrati shpjegoj edhe rastin e Kosovës, ku tha se përfshirja e organizatave të shoqërisë civile dhe akterëve të tjerë në punën e strukturave të stabilizim-asociimit ka qenë e kufizuar dhe jo efektive.
“Shpesh Qeveria e Kosovës tenton të organizojë mbledhjet e strukturave të stabilizim-asociimit pa konsultime paraprake me shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesuara për materialet e takimeve. Kur organizohen takime konsultimi me shoqërinë civile dhe akterë të tjerë, shpesh ato bëhen afër datës së takimeve të strukturave të stabilizimit asociimit dhe lënë pak hapësirë për ndryshime në agjendë. Veçanërisht shqetësuese është mungesa e përfshirjes. së akterëve të tjerë, përveç organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht sektorit privat”, tha Kastrati.
“Qeveria e Kosovës duhet t`i njoh organizatat e shoqërisë civile si partnerë aktivë në proceset vendimmarrëse në kuadër të Strukturave të Stabilizim Asociimit. Kjo kërkon jo vetëm konsultim, por edhe përfshirje të vërtetë, duke përkthyer kontributin e shoqërisë civile në rezultate të prekshme të politikave”.
Rekomandime:
Qeveria e Kosovës duhet të përgatisë një raport vlerësimi për përfshirjen e shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesuara në punën e strukturave të stabilizim-asociimit, në përputhje me Rregulloren QRK-Nr.13/2016.
Prioritizimi i fushatave të ndërgjegjësimit publik që komunikojnë përfitimet, sfidat dhe implikimet e integrimit evropian, duke larguar keqkuptimet dhe duke nxitur mbështetjen. Kjo është një fushë me të cilën shoqëria civile dhe qeveria e Kosovës kanë bashkëpunuar në mënyrë efektive në të kaluarën.
Qeveria duhet të rrisë konsultimet me sektorin privat në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të njohë rolin integral të sektorit privat, duke pasur parasysh fokusin ekonomik të Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit. Angazhimi i Odave të Ekonomisë dhe Tregtisë, së bashku me shoqatat specifike të sektorëve, në proceset e konsultimit dhe vendimmarrjes në lidhje me integrimin ekonomik.
Krijimi i praktikave transparente në lidhje me ndarjen e materialeve dhe agjendave të takimeve me organizatat e shoqërisë civile dhe palët e interesuara përpara takimeve zyrtare.
Përafrimi i Strategjisë së Qeverisë për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2019-2023 me objektivat e anëtarësimit në BE.
Pranimi se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) është dinamik dhe mund të kërkojë ndryshime në strategji.
Krijimi i një platforme të bazuar në ueb, e dedikuar për të ndjekur progresin e plotë të nismave të BE-së me implikime të mundshme biznesi.