Franca regjistron mbi 1.500 incidente antisemitike që nga 7 tetori

Më shumë se 1.500 veprime dhe deklarata antisemitike janë regjistruar në Francë që nga shpërthimi i luftës së Izraelit me Hamasin - grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian - tha të martën ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin.

Ndërsa ka nisur lufta në Rripin e Gazës, janë rritur tensionet në Francë, shtet në të cilin jetojnë komunitetet e mëdha hebreje dhe myslimane.

“Ka pasur 1.518 veprime apo deklarata antisemitike”, tha Darmanin në një intervistë për transmetuesin Europe 1.

Kjo shënon rritje për më shumë se trefish në krahasim me të gjithë vitin 2022 kur u regjistruan 436 veprime apo deklarata antisemitike.

“Këto janë kryesisht etiketime dhe fyerje por ka edhe sulme dhe lëndime”, tha Darmanin.

Këto veprime rezultuan me 571 arrestime, tha ministri për AFP-në.

Në fund të tetorit, prokurorët e Parisit hapën hetim për një incident pasi dhjetëra Yje te Davidit u shfaqën në ndërtesat në qytet dhe në periferi.

Franca ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në punët e saj duke shpërndarë foto në internet të grafiteve antisemitike.

Darmanin tha se ka pasur gjithashtu incidente antimyslimane "por, ato nuk janë në shkallën e asaj që ne po shohim për sa i përket antisemitizmit".

Ai tha se disa xhami kishin marrë kërcënime për dhunë.

Ministria e Drejtësisë tha për AFP të hënën se janë hapur 330 hetime për akte antisemitike dhe justifikimet e terrorizimit, që nga 7 tetori.

Protestuesit anti-hebrenj sulmojnë aeroportin e Dagestanit teksa arrin fluturimi nga Izraeli

Të dielën, më shumë se 180.000 njerëz marshuan kundër antisemitizmit në Francë.

Marshimi u zhvillua një ditë pasi mijëra njerëz demonstruan në Paris nën thirrjen "Stop masakrës në Gaza".

Më 7 tetor, grupi ekstremist palestinez Hamas filloi një sulm në Izrael, duke vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Izraeli është kundërpërgjigjur me një bombardim të Rripit të Gazës dhe një pushtim tokësor, duke vrarë më shumë se 11.100 njerëz, shumë prej tyre fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi. /REL