Minatorët “u gënjyen” - u arrit marrëveshje për ndërprerjen e grevës, por asnjë kusht s’u plotësua

Për 10 ditë radhazi, minatorët e “Trepçës” protestuan me shpresën që kërkesat e tyre do të realizohen. Të njëjtit e ndërprenë grevën, pasi atyre iu premtua se do t’u përmirësohen kushtet, do të shkarkohet kryeshefi i “Trepçës”, Enis Abdurrahmani dhe pagat t’u dalin me kohë.

Mirëpo, kanë kaluar 11 ditë nga ndërprerja e grevës dhe asnjëra nga kërkesat nuk është realizuar e as nuk kanë nisur procedurat. Madje për muajin tetor pagat e minatorëve akoma nuk janë dhënë të plota.

Kryetari i Sindikatës së “Trepçës”, Ibrahim Januzi, në një bisedë për Albanian Post thotë se edhe Sindikata vazhdon të jetë e suspenduar po ashtu.

Derisa marrëveshja për ndërprerjen e grevës me premtimin se do iu merren parasysh kërkesat u arrit, sindikata që u përjashtua për shkak të ngritjes së atyre kërkesave mbetet e përjashtuar përkundër marrëveshjes.

“Pagat nuk janë marrë akoma të plota”, konfirmoi për AP-në Januzi, derisa shtoi e “edhe ne si kryesi e Sindikatës akoma jemi të suspenduar”.

“Ende s’kemi marrë ndonjë përgjigje. Ne do të veprojmë përmes rrugëve ligjore, sepse afati ka qenë deri më datën 10 nëntor”, thotë Januzi për AP-në.

Për 10 ditë radhazi minatorët e “Trepçës” protestuan dhe deri në ditën e dhjetë ata nuk u vizituan nga deputetët e pushtetit.

Kur u takuan atyre iu premtua plotësimi i të gjitha këtyre kërkesave, por sërish nuk ka hapa të konkretizuar në këtë drejtim në raport me minatorët.

Pas minatorëve, protesta patën edhe disa Njësi Speciale të Policisë së Kosovës (Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive dhe njësi të tjera të Policisë)”.

Njëjtë si minatorët, edhe ata i ndërprenë protestat me premtimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar t’i takojë.

Megjithatë, takimi ende s’ka ndodhur.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, thotë për Albanian Post se premtimin e kanë që takimi me policët do të mbahet gjatë kësaj jave.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet që të mbajë një takim gjatë kësaj jave. Nuk e di çfarë veprime do të ketë nga ana e policëve në rast se nuk plotësohen kërkesat. Ne po shpresojmë që kërkesat e tyre do të plotësohen”, deklaron Zeqiri.

Policët në takim me Kurtin do të kërkojnë një përgjigje konkrete se kur Policia e Kosovës do të jetë prioritet për pushtetin, pohon Zeqiri.

“Ka edhe kërkesa të tjera si ligji i pagave ku për disa kategori i kanë hequr shtesat, e kanë zbritur përvojën e punës nga 0.5 në 0.25 për 18 vjetët e para. Kemi kërkuar edhe që një pagë bazë të sigurohet për familjarët që kanë humbur ndonjë anëtar të familjes në rast se ka pasur rast të vdekjes, pagesa e udhëtimit për ata që udhëtojnë dhe shujtën për policët e të tjera”.

“Përveç shtesës së rrezikshmërisë të gjitha këto kërkesa do të paraqiten në takim me kryeministrin”.

Ai ka shtuar se, “policët nuk mund të heqin dorë nga kërkesat e tyre, sepse janë legjitime dhe duhet të jenë prioritet”.

Përveç mungesës së sigurimeve shëndetësore, për herë të parë, pas 15 vjetëve, policët kanë mbetur pa shtesa për punën me rrezik që kryejnë.

Ndërsa, që nga përfundimi i luftës së fundit 20 zyrtarë të Policisë kanë humbur jetën në detyrë.

Rasti i parë është regjistruar në shtator të vitit 2001, ndërsa rasti i fundit u shënua në Banjë të Zvecanit, më 24 shtator ku rreshteri tashmë i shpallur hero nga Policia e Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra nga organizatat terroriste të Serbisë.

Me legjislacionin në fuqi, e drejta e kompensimit nga buxheti i shtetit u takon dy kategorive: familjarëve të zyrtarëve policorë që vdesin në detyrë dhe atyre në kryerje të detyrës.