Në MPJD vjen gjenerata e dytë e Programit për Diplomaci Qytetare

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ardhur të martën gjenerata e dytë e Programit për Diplomaci Qytetare, e cila konsiderohet si mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave dhe njohjen më afër të Kosovës nga të rinjtë që jetojnë jashtë vendit. Këtë gjeneratë në MPJD e ka pritur zëvendësministrja, Liza Gashi.

“Ky program, duke pasur parasysh gjeneratën e parë, ka rezultuar të jetë një mundësi e mirë që të rinjtë tanë në diasporë të rilidhen me vendin, duke sjellë përvojën dhe praktikat e tyre”, tha Gashi gjatë bashkëbisedimit me anëtarët e programit për diplomaci qytetare. Prandaj, duke parë rëndësinë e këtij programi, ajo tha se këtë vit numri i anëtarëve të programit është rritur në 25 veta, nga 11 shtete, të cilët do të angazhohen edhe në ministritë e tjera të linjës.

“Kështu, do të rritet edhe mundësia e krijimit të lidhjeve të reja me shtetet prej nga vijnë këta profesionistë”, tha Gashi.

Në fund, zëvendësministrja e Jashtme, duke i falënderuar për vullnetin e treguar për angazhim në kuadër të këtij programi, tha se ky projekt jo vetëm që do t’u mundësojë angazhimin e drejtpërdrejtë në institucionet e Republikës së Kosovës, por edhe do ta forcojë lidhjen e tyre me Kosovën. /eo