Në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.

Ndryshe, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të hënën, më 13 nëntor, ka vazhduar dëshminë dëshmitari 35-të, me shifrën W04444 dhe dëshmitari i 36-të, Sadik Halitjaha.

Sipas përmbledhjes së lexuar në gjykatë, dëshmitari i 35-të, W04444, pretendohet se është arrestuar dhe keqtrajtuar nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë periudhës përkatëse. Dëshmitari i 35-të, gjatë dëshmisë, tha se nuk është i sigurt nëse është rrëmbyer nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 35-të, ka filluar që të dëshmojë dëshmitari i 36-të, Sadik Halitjaha, ish-zv.komandant i Zonën Operative të Pashtrikut, i cili do të vazhdojë edhe sot dëshminë e tij në Hagë.

Në çështjen gjyqësore “Thaçi dhe të tjerët” për këtë janë paraparë të mbahen katër seanca.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill, kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.