Kurti takohet me Kovaçevskin në Vjenë, diskutojnë për dialogun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me homologun e tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës.

Rëndësi iu kushtua raporteve të mira ndërshtetërore, teksa u fol për përkushtimin e dy vendeve në synimin e përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian, si dhe sfidat përgjatë këtij rrugëtimi, raporton Zeri.info.

Kurti gjatë këtij takimi theskoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në shumë fusha me qëllim avancimin e mëtejmë të fqinjësisë së mirë, dhe në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve.

Në këtë kontekst u diskutua edhe për sektorin e energjisë, potencialin që dy vendet kanë edhe strategjitë tyre mbi këtë sektor.

“U bisedua edhe për zhvillimet e fundit në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe takimin e 21 tetorit me liderët evropianë, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi homologun e tij mbi qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës se nënshkrimi i marrëveshjeve do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe garanci për zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Zbatues”, thuhet në komunikatë. /Zëri