Buxhet i stagnimit e diskriminues, kështu e konsideron AAK-ja projektbuxhetin për vitin 2024
Buxhet i varfërimit dhe stagnimit, kështu e quajti grupi parlamentar i AAK-së buxhetin e ndarë nga Qeveria për vitin 2024 në një tryezë diskutimi.
Sipas tyre ky projektbuxhet nuk ka parametrat e një buxheti zhvillimor të standardit jetësor dhe është buxhet politik, diskriminues e bartje e projekteve nga viti në vit, raporton Zeri.info.
Në këtë tryezë u tha se rritja nominale prej vetëm 102 milionë euro realisht është zvogëlim real i buxhetit kur marrim parasysh nivelin e inflacionit për këtë vit dhe për vitin që vjen.
“Rritja e koeficientit të pagave nga 105 në 110 euro nuk është rritje e as harmonizim, por zvogëlim real i pagave. Indeksi i çmimeve të konsumit prej 5, 1% këtë vit dhe 2, 7% për në vitin 2024 e argumenton këtë konstatim. Ndarja e buxhetit për komunat e proklamuar si rritje prej 86 milionë euro, nuk është rritje por është mashtrim”, u tha ndër të tjera.
Po ashtu u theksua se investimet kapitale të shtuara për vetëm 48 milionë euro nuk mundësojnë zhvillim ekonomik.
“Asnjë nga projektet e mëdha infrastrukturore nuk është realizuar këtë vit, ato janë bartur për vitin e ardhshëm por me vlerë të pamjaftueshme për t'u përfunduar”, thuhet ndër të tjera. /Zëri