Mbrojtja e Krasniqit pyet dëshmitarin për sistemin paralel të arsimit në Kosovë në prag të luftës
Dëshmitarin e 35-të në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është duke e marrë në pyetje mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokatit, Aidan Ellis.
Ellis e ka pyetur dëshmitarin për sistemin paralel të arsimit të zhvilluar në Kosovë pas përjashtimit të mësimdhënieve dhe nxënësve nga institucionet e rregullta shtetërore.
“Është e drejtë apo jo, që në fillim të viteve ’90-të mësuesit dhe nxënësit shqiptar janë përjashtuar nga sistemi i rregullt i arsimit në Kosovë?”, pyeti Ellis.
Ndërsa, dëshmitari u përgjigj vetëm me fjalën “diskriminim” gjë më të cilën u pajtua edhe avokati Ellis, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Pajtohemi me njëri-tjetrin, domethënë kështu ka ndodhur. Nuk po them që ka qenë e drejtë por kështu ka ndodhur në fakt apo jo që nxënësit dhe mësuesit nuk janë lejuar që të punojnë brenda sistemit ose institucioneve shtetërore serbe. Në përgjigje të kësaj situate të diskriminimit u krijua një sistem paralel arsimor, apo jo dëshmitar? Qëllimi ishte të iu ofrohet mësim nxënësve shqiptar të cilët ndryshe nuk mund të arsimoheshin?. Këto mësime duhej që të organizoheshin në dhomat e shtëpive private?”, pyeti Ellis mirëpo përgjigjet e dëshmitarit nuk u dëgjuan.
Ellis pyeti dëshmitarin nëse në këtë sistem paralel të arsimit a ka pasur diskutime për të vendosur kuota gjinore që të inkurajoheshin sa më shumë vajza që të arsimoheshin.
“A ka pasur diskutim, a e dini që të ketë pasur diskutim për të vendosur kuota gjinore që të inkurajoheshin më shumë vajza që të arsimoheshin në sistemin paralel të arsimit”, pyeti Ellis ndërsa dëshmitari tha se nuk e di.
Pas kësaj, Zyra e Prokurorit të Specializuara kërkoi nga Ellis një sqarim se pse është e nevojshme të iu bëhen këto pyetje dëshmitarit ndërsa sqarimi i avokatit u bë në seancë private dhe pa praninë e dëshmitarit.
Pas kthimit në seancë publike, avokati Ellis e pyeti dëshmitarin se a e dinte se Jakup Krasniqi ishte profesor i Historisë e që përgjigja nuk dëgjua.
Pas kësaj, Ellis pyeti dëshmitarin se a e dinte se Jakup Krasniqi ka qenë nënkryetari i Këshillit të Arsimit në Komunën e Drenasit përgjatë viteve ’96 dhe ’98.
“A e dini që ka qenë nënkryetar i Këshillit të arsimit në Komunën e Drenasit në ’96-‘98”, pyeti avokati Ellis, ndërsa dëshmitari u përgjigj me “Nuk e di”.
Për të parashtruar pyetje të tjera për dëshmitarin, avokati Ellis kërkoi që të kalohet në seancë private dhe një gjë e tillë u aprovua nga trupi gjykues.