Dëshmitari thotë se s’është i sigurt nëse e ka rrëmbyer UÇK-ja

Dëshmitari i 35-të gjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka thënë që nuk është i sigurt nëse është rrëmbyer nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se dikush e ka rrëmbyer, por që nuk e di se kush e ka bërë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“A me ka rrëmbyer Ushtria Çlirimtare, nuk jam i sigurt. Dikush me ka rrëmbye, por se di kush”, tha dëshmitari.

Ndërsa, pas kësaj pyetjeje për dëshmitarin ka filluar t’i parashtrojë kryetari i trupit gjykues, Guenawl Mettraux.

Mettraux e pyeti dëshmitarin lidhur me një person të quajtur Sahit Jashari.

“A ju kujtohet që Ellis nga mbrojtja e Krasniqit ju pyeti në qoftë se ju kujtohet dikush që quhet Sahit Jashari, a ju kujtohet kjo pyetje që Ellis. A po thoni përpara trupit gjykues që nuk e dini dhe nuk iu kujtohet se kush është ky burrë, kush është ky njëri”, tha gjyqtari, por që përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua.

Tutje, gjyqtari paraqiti deklaratën që dëshmitari i kishte dhënë Prokurorisë, mirëpo seanca kaloi në përmbajtje të redaktuar.

Ndryshe, ky dëshmitar kishte pretenduar se është arrestuar dhe ndaluar nga pjesëtarët e UÇK-së.

Madje, në deklaratën e dhënë për ZPS-në dëshmitari kishte thënë se pjesëtarët e UÇK-së e kanë rrahur me shqelma dhe me grushte.

Ky dëshmitar kishte bërë kërkesë të pranohet si viktimë pjesëmarrëse në këtë proces.