Uji i Badocit brenda pak ditësh mund të jetë i përdorshëm për pije

Drejtues të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, por edhe ata të Komunës së Prishtinës paralajmëruan se, sipas informacioneve që kanë nga kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina”, cilësia e ujit është përmirësuar dukshëm dhe se brenda pak ditësh uji nga Badoci mund të jetë i përdorshëm për pije.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar së analizat e fundit laboratorike tregojnë për rënie të vlerave referente të manganit në ujin e liqenit të Badocit dhe në rrjetin shpërndarës.

Burbuqe Nushi, nga ky institut, i tha Radio Kosovës së bazuar në vlerat e rënies së ditëve të fundit se shpejti pritet të normalizohet kjo gjendje.

“Përkundër faktit se vlerat edhe në liqenin e Badocit janë dukshëm më të ulëta, mirëpo ende nuk e kanë arritur standardin e paraparë. Përmirësimi i gjendjes varet nga shumë faktorë, si kushtet klimatike dhe temperatura. Nëse bazohemi në trendin e rënies së vlerave, besoj se shumë shpejt do të bëhet kthimi në situatë normale”, tha ajo.

Nushi tha së uji me vlerat aktuale mund të përdoret për çdo veprimtari tjetër, përveçqë rekomandohet të mos përdoret për pije e posaçërisht për fëmijët e moshës nga 0 deri në 5 vjeç.

“Uji me vlerat aktuale të manganit mund të përdoret për të gjitha veprimtarit tjetër, përveçqë rekomandohet të bëhet kujdes për pije. Përgatitje të ushqimit, pastrim të ambientit, higjiene personale të gjitha të tjerat. Aktualisht rekomandohet të mos përdoret për pije, posaçërisht të mos përdoret nga fëmijët prej moshës 0 deri në 5 vjeç”, theksoi ajo.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka pasur një bisedë telefonike me kryeshefin ekzekutiv të kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahun, i cili e ka informuar se cilësia e ujit është përmirësuar dukshëm dhe brenda pak ditësh do të mundë të përdoret për pije.

Ai tha se Fetahu e ka siguruar së shumë shpejt qytetarët që furnizohen nga liqeni i Badocit mund ta konsumojmë ujin, sepse tashmë nivelet e manganit në të janë ulur dhe vetëm duhet zbatuar disa procedura të nevojshme që më pas ta përdorin ujin lirshëm për pije.