Të enjten Bislimi e Petkoviqi do të përballen në tavolinën e bisedimeve në Bruksel
Të enjten në Bruksel do të mbahet takimi i radhës në kuadër të procesit të dialogut Kosovë - Serbi, në nivel kryenegociatorësh.
Ky takim vjen pas vizitës së fundit që pati në Prishtinë emisari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Lajçaku gjatë takimit që zhvilloi me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi ka diskutuar për çështjet urgjente të pazgjidhura që kanë të bëjnë me dialogun.
Ai kishte konfirmuar se një takim në nivelin e kryengociatorëve do të mbahej së shpejti në Bruksel, por pa dhënë datë të saktë.
Lajçaku tutje ka theksuar se në takimin që do të mbahet në Bruksel fokusi parësor do të jetë në arritjen e përparimit të menjëhershëm në zbatimin e Marrëveshjes dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për situatën sfiduese në veri të Kosovës.
E zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ditë më parë konfirmoi se takimi do të mbahet të enjten, më 16 nëntor.
Bislimi u shpreh se dakordimi i vetëm me Lajçakun në Kosovë ishte për këtë takim që pritet të mbahet.
“Takimi i radhës mes kryenegociatorëve mbahet të enjten e ardhshme në Bruksel dhe ky është dakordimi i vetëm që kemi arritur. Ky është hapi i radhës për të cilin jemi dakorduar, d.m.th. takimi i radhës në Bruksel më 16 nëntor”, deklaroi Bislimi ditë më parë, pasi pranoi Raportin e Progresit.
Sipas tij, nuk ka më kompromise në negocim, sepse ato kanë përfunduar.
“Jemi në fazën e zbatimit të marrëveshjeve, ku Kosova insiston që marrëveshjet të zbatohen në plotni, pa parakushte dhe pa vonesa dhe për të siguruar që marrëveshjet na dërgojnë drejt normalizimit dhe jo drejt eskalimit të konfliktit”, deklaroi Bislimi.