Shefi i diplomacisë kroate nga Brukseli: Liberalizimi i vizave për Kosovën, hap i madh përpara

Shefi i diplomacisë kroate, Gordan Gërliq-Radman, ka thënë se liberalizimi i shumëpritur i vizave për Kosovën në janar të vitit 2024 është një hap i madh përpara.

Këto komente ai i bëri para nisjes së takimit të ministrave të jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së në Bruksel.

Ndërsa, duke iu referuar takimit tjetër që mbahet pasditen e sotme po në Bruksel në mes të kryediplomatëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE-së, ai tha se gjatë tij do të flitet për gatishmërinë, si dhe përkushtimin e gjashtëshes ballkanike për rajonin.

“Zgjerimi është ende prioritet i Bashkimit Evropian, por për ta bërë një storie të suksesshme duhet të përmbushen kushtet, duhet implementuar reformat e nevojshme, si dhe nevojitet rreshtim me vlerat dhe standardet e BE-së. Marrëdhëniet e mira fqinjësore, si dhe bashkëpunimi rajonal mbeten thelbësore”.

“Shpresojmë të shohim përparim deri në fund të këtij viti dhe në vitin tjetër për hapjen e negociatave për anëtarësim të Bosnjë dhe Hercegovinës, hapjen e kapitullit të parë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, njofton Klankosova.tv.