Molliqaj: Drafti i Asociacionit do ta zhbëjë Republikën e Kosovës

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, tha se drafti i Asociacionit do të zhbëjë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, qytetar e multietnik.

“Drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga presidenti i Serbisë, në thelb e zhbën Republikën e 17 shkurtit të shpallur si shtet të pavarur, qytetarë dhe multietnik. Nga sot jo vetëm që e zhbën Republikën si koncept, pra ku qytetarët janë të barabartë pa dallim etnie e kombësie, tani siç e dini zhduket barazia mes qytetarëve të cilat kanë qenë të shprehur edhe simbole të shtetit të Kosovës përmes yjeve. Secili yje ka përfaqësuar një etni apo kombësi në këtë shtet të themeluar së bashku” është shprehur Molliqaj gjatë aksionit të PSD-së para Qeverisë rreth çështjes së Asociacionit.

Sipas tij, nga ky draft janë vizatur edhe kufijtë e brendshëm të Kosovës dhe se do të ketë konflikt të vazhdueshëm mes dy etnive, shqiptare dhe serbe, njofton Klankosova.tv.

“Nga sot flamuri i Kosovës ka vetëm dy yje, që përfaqësojnë dy etnitë, e që në fakt përfaqësojnë thelbin, fillimin e konfliktit të vazhdueshëm që do të kemi mes vete. Pra nga Republika qytetare, në Republikë e cila ndahet në dy etni e konflikt të vazhdueshëm mes njëra-tjetrës. Mos harroni se përmes këtij drafti na janë vizatuar edhe kufijtë e brendshëm, qeveria ka me tentuar me thënë se siç u njohën kufijtë e jashtëm, duke e sulmuar idenë e ri përcaktimit që ishte ide dhe do të mbetet ideja e vetme që kishte me garantuar paqe edhe zhvillim e mirëqenie mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi kryetari i PSD-së.