Vazhdon seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, dëshmitari merret në pyetje në seancë të mbyllur

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 35-të me kodin W04444, në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqit.

Këtë dëshmitar ka filluar që ta marrë në pyetje mbrojtja e Rexhep Selimit, përmes avokatit Geoffrey Roberts.

Robertsi pyetjet për dëshmitarin ka filluar t’i parashtrojë në seancë të mbyllur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas avokatit Roberts, këtë dëshmitar do ta marrin në pyetje edhe mbrojtja e të akuzuarve të tjerë, si dhe trupi gjykues.

Dëshmia e këtij dëshmitari ka filluar të enjten, më 9 nëntor 2023. Gjatë dëshmisë së tij ai ka pretenduar se është arrestuar dhe keqtrajtuar nga pjesëtarë të UÇK-së.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.