“Ministri malazez i Drejtësisë abuzoi me kompetencat, duke i amnistuar kriminelët e luftës në Kosovë”
Policia malazeze në fund të muajit shtator kishte arrestuar Momqillo Vukotiq dhe Zhika Vuksanoviq, pasi për të njëjtit kishte një fletarrest ndërkombëtar nën dyshimin e kryerjes së krimeve të luftës në Kosovë.
Vukotiqi dhe Vuksanoviqi kishin qëndruar në paraburgim, duke pritur ekstradimin tek organet e drejtësisë kosovare.
Gjykata malazeze kishte vendosur që të njëjtit duhet t'u dorëzohen autoriteteve të Kosovës, por kundër vendimit të gjykatës kishte dalë ministri i drejtësisë malazeze Marko Kovaq. Ky i fundit këtë vendim e kishte marr një javë para se t'i përfundonte mandati.
Gazeta malazeze “Pobjeda” bëri të ditur se Kovaq e ka shpjeguar vendimin me vlerësimin se “ka dyshime për përndjekje politike” dhe se është shkelur neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, me vlerësimin se ka qenë “moment politik”.
Pas refuzimit për ekstradim të serbëve, të njëjtët janë liruar nga paraburgimi.
LEXO EDHE:
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe avokati Arbër Jashari. Ai ka thënë se vendimi i ish-ministrit të Drejtësisë të Malit të Zi, është abuzim me kompetencat që ia jep ligji dhe amnisti për “kriminelët” e luftës së vitit 1998-1999.
“Momqillo Vukotiq dhe Zhika Vuksanoviq, dy serbë të dyshuar për krime lufte në Kosovë, sot janë të lirë diku në Serbi, vetëm në saje të një vendimi politik të ish-ministrit të Drejtësisë së Malit të Zi, Marko Kovaq. Personat në fjalë, të shpallur në kërkim ndërkombëtarë nga drejtësia kosovare, ishin arrestuar gjatë muajit shtator nga autoritetet malazeze.
Ndonëse drejtësia e shtetit fqinj me të drejtë i “paketoi”, për në Kosovë, këtë nuk e miratoi politika, duke mos lejuar ekstradimin e tyre, me pretendimin qesharak se “ka dyshime për përndjekje politike” dhe se “është shkelur neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore”. Konsideroj se vendimi i ish ministrit të Drejtësisë se Malit të Zi, është abuzim me kompetencat që ja jep ligji dhe amnisti për “kriminelet” e luftës së vitit 1998-1999”, ka shkruar Jashari në një reagim në Facebook.
Ai ka theksuar se Kosova është shtet demokratik, ku gjykatat funksionojnë të pavarura, dhe zbatojnë standardet më të larta profesionale, pa dallim gjuhe, etnie a kombësie.
“Ky vendim dëmton rëndë edhe klimën e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, në çështjet penale me element ndërkombëtare dhe është arsye e mjaftueshme qe edhe Ministria e Drejtësisë se Kosovës mbi bazën e parimit të reciprocitetit, të përgjigjet me kartën e njëjtë në të ardhmen, për personat e kërkuar nga Mali i Zi”, është shprehur Jashari.