Milot Rashica: Mëkat që po e humbim një shans të madh për kualifikim
Kosova ka arritur të fitojë minimalisht ndaj Izraelit në kuadër të ciklit kualifikues të kampionatit evropian “Euro 2024”.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin ikonik “Fadil Vokrri” përfundoi me rezultat minimal 1-0.
Goli i fitores për dardanët e realizoi Milot Rashica në minutën e 42-të.
Pas ndeshjes ka folur protagonisti i ndeshjes Milot Rashica, ku tha se është mëkat që upo e humbim një shans të madh për kualifikim.
“Besoj që është gjithmonë kënaqësi të shënojë, sidomos me Kombëtaren. Kemi pasur periudhë të vështirë në fillim, por po përmirësohemi. Fusha na ka pamundësuar të luajmë lojë të mirë për sy. Por me rëndësi është që shënuam fitoren dhe morëm tri pikët. Mendoj se të gjithë janë të lumtur”, ka thënë Rashica.
“Aftësia e Muriqit në lojën në ajër më lehtëson shumë punën. Më duhet vetëm ta përcjell atë. Është prej pozitave që më pëlqen më së shumti kjo ku kam luajtur sonte. Lojtarët e rinj janë përshtatur shumë shpejtë. Kanë luajtur lojë të mirë, kanë luftuar për çdo top. Kemi pasur raste edhe më shumë se në ndeshjet e tjera, kur terreni ishte më i mirë. Është dashur t’i shfrytëzojmë edhe dy-tri raste. Tani do të provojmë t’i fitojmë dy ndeshjet e ardhshme. Është mëkat i madh që po e humbim një mundësi shumë të madhe. Ka qenë shumë e mundshme, por duhet të shikojmë para”, ka thënë Rashica.
Pas kësaj fitore, Kosova e sheh vetën në vendin e katërt me dhjetë pikë në grupin I, ndërsa Izraeli në një pozitë më lartë e me një pikë më shumë (11). /Zëri