S’i respektuan rregullat për ndeshjen Kosovë – Izrael, Policia shoqëron në stacion dy persona

Tashmë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ka filluar ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit.

Kjo ndeshje është duke u mbajtur nën masat e rrepta të sigurisë, e madje si asnjë herë më parë, Policia e Kosovës ka kontrolluar secilin qytetar me letërnjoftim dhe me biletë për të hyrë në stadium.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Zeri.info, se dy persona janë shoqëruar për në stacionin policor para fillimit të ndeshjes Kosovë-Izrael, pasi që të njëjtit nuk iu kanë përmbajtur rregullave për të hyrë në stadium.

“Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante, po vazhdon angazhimet sipas planit operacional për mbarëvajtje dhe ofrim të sigurisë lidhur me ndeshjen sportive në mes të Kosovës dhe Izraelit. Gjatë realizimit të detyrave policore mund të konfirmojmë se dy persona meshkuj kosovarë, të cilët kanë rënë në kundërshtim me rregullat e parapara për hyrje në stadium, të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor, për të vazhduar me procedurat e mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Policisë dhënë për Zeri.info.

Për këtë ndeshje, në Prishtinë kishin ardhur edhe policë nga Izraeli, e gjithë kjo, pas luftës që është duke u zhvilluar në Gaza.

Për t’i ikur çdo incidenti të mundshëm, autoritetet kosovare kishin marrë vendim që asnjë tifoz të mos lejohet që të ketë ndonjë flamur apo çfarëdo mbishkrimi politik etj,. /Zëri