Turizmi ka edhe pasoja negative në Shqipëri, pas verës shtohen sëmundjet seksualisht të transmetueshme
Marrëdhëniet seksuale të hapura dhe të pambrojtura mes të rinjve kanë shtuar numrin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Mjekët e familjes i thanë televizionit publik shqiptar se pas një sezoni turistik të suksesshëm veror, ata po përballen me rritjen e numrit të kërkesave për ndihmë mjekësore në këtë drejtim.
“Po vihen re infeksione të shpeshta të traktit vaginal, sigurisht si nga meshkujt, edhe nga femrat, por më shumë nga femrat, sepse femrat kanë edhe ndjesinë që janë shumë herë më të kujdesshme dhe kërkojnë kontakte me mjekët. Periudha e verës, duke qenë se të rinjtë kanë më shumë lëvizje, ndoshta edhe marrëdhëniet midis tyre janë shumë më të hapura, pa kriter dhe pa u mbrojtur,” shprehet mjekja Violeta Kaçori.
Mjekët sqarojnë simptomat kryesore të ankesave që shfaqen fillimisht te femrat.
“Thonë që kanë urinim të shpeshtë, kanë një dhimbje në fund të barkut, femrat mund të referojnë edhe sekrecione të shtuara vaginale nga përditshmëria e tyre. Hapi i parë është një analizë urine që ato e kërkojnë vetë, por ua sugjeron edhe mjeku,” thotë doktoresha e Qendrës Shëndetësore nr. 8.
Por çfarë rrezikojnë si femrat, ashtu edhe meshkujt nëse i lënë këto infeksione pa trajtuar?
“Pastaj kemi probleme të tjera. Kanceri i qafës së mitrës ose herpes papilomavirus, që është shumë e përhapur. Meshkujt dalin shumë shpesh edhe me infeksione si trikomona, gardnerela, kandida,” shton mjekja Kaçori.
Mjekët thonë se informacioni mes të rinjve për sëmundjet seksualisht të transmetueshme është i vakët dhe jo i vërtetë./RTSH