Kjo është organizata që vendosi flamurin palestinez në Prishtinë
Organizata jo-qeveritare "Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist" ka njoftuar se kanë qenë ata që kanë shpalosur flamurin e Palestinës tek hoteli “Grand” në Prishtinë, ditën e diel.
Kjo organizatë, me anë të një postimi në Facebook ka thënë se shpalosja e flamurit të Palestinës është akt solidariteti me popullin palestinez.
“Sot shpalosëm flamurin e Palestinës si akt i solidaritetit me luftën e popullit palestinez për liri. I vendosur krahas flamurit që kërkon çlirimin e Ukrainës, ky flamur denoncon pretendimet për solidarizim selektiv dhe insiston në të drejtën e çdo populli për liri. Ne qëndrojmë të bashkuar/a dhe të vendosur/a të kundërshtojmë dhe luftojmë çdo okupim, kolonizim dhe racializim të popujve”, thuhet në njoftimin e organizatës.
Ata kanë bërë të ditur se flamuri më pas është hequr. Kjo OJQ e quan këtë veprim si “akt heshtje”.
“Megjithatë, flamuri i Palestinës u hoq shumë shpejt pas vendosjes. Këtë akt ne e lexojmë si tentativë heshtuese nga shteti i Kosovës dhe pozicionim shqetësues në përkrahje të luftës gjenocidale të shtetit të Izraelit ndaj popullit palestinez”.
Flamuri është vendosur në ditën kur Izraeli pritet të ballafaqohet me kombëtaren e Kosovës në futboll, në kuadër të kualifikimeve të Euro 2024, shkruan Insajderi.