Përmirësohet cilësia e ujit në Badoc, por ende mbetet i papijshëm
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se është përmirësuar cilësia e ujit në Liqenin e Badocit, por që vazhdon të jetë i papijshëm për momentin.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Rama ka bërë të ditur se brenda pak ditësh qytetarët do të mund ta përdorin për pije ujin e Liqenit të Badocit.
“Sapo bisedova në telefon me Kryeshefin Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit "Prishtina", Arsim Fetahun, i cili më informoi se cilësia e ujit është përmirësuar dukshëm dhe brenda pak ditësh do të mund ta përdorim për pije”, ka shkruar Rama, përcjell Zeri.info.
Rama ka kërkuar nga banorët e Prishtinës që të kenë durim edhe për pak ditë.
“Ju lutem të keni edhe pak durim, ndonëse e kuptoj shqetësimin që ju keni, sepse z.Fetahu më siguroi që shpejt mund ta konsumojmë ujin sepse tashmë nivelet e manganit në të janë ulur dhe vetëm duhet zbatuar disa procedura të nevojshme që më pas ta përdorim ujin lirshëm për pije”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.
Që nga 18 tetori, me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) është ndaluar konsumimi i ujit të Liqenit të Badocit për shkak pranisë së lartë të manganit. /Zëri