Lista e Kombëtares së Shqipërisë U-21 pëson ndryshim, tajneri zëvendëson një mbrojtës për shkak dëmtimi

Kombëtarja shqiptare U-21 nisi këtë të diel grumbullimin dhe përgatitjet zyrtare në Durrës, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Europian 2025 për këtë grupmoshë ndaj Rumanisë U-21 (17 nëntor) dhe Malit të Zi U-21 (21 nëntor), të dyja në transfertë. Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi shpalli pak ditë më parë edhe listën me 24 lojtarët e thirrur për dy ndeshjet kualifikuese.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi Ermis Selimaj, do të mungojë për shkak të një dëmtimi dhe e ka të pamundur të jetë pjesë e skuadrës kuqezi në dy transfertat ndaj Rumanisë dhe Malit të Zi. Sakaq, trajneri Bushi ka vendosur të ftojë lojtarin e Laçit, Agan Mjakin. 

Shqipëria U-21 ndodhet në Grupin E bashkë me Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë, teksa renditet në vendin e parë pas tre fitoreve ndaj Rumanisë U-21, Malit të Zi U-21 dhe Armenisë U-21. Kuqezinjtë kanë pësuar vetëm një disfatë ndaj Finlandës U-21.

Ekipi i drejtuar nga Alban Bushi me datë 16 nëntor do të udhëtojë drejt Rumanisë, aty ku më datë 17 do të luajë ndaj vendasve ndeshjen zyrtare, ndërsa më 21 nëntor do të luajë ndaj Malit të Zi.