Gliha për ndeshjen ndaj Izraelit: Pres një ndeshje të mirë nesër
Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur konferencë për media para ndeshjes ndaj Izraelit që e zhvillon nesër nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”.
Trajneri Primoz Gliha dhe sulmuesi Vedat Muriqi ishin në konferencë për shtyp.
Përzgjedhësi Gliha u shpreh se pret një ndeshje të mirë nesër, pavarësisht se në cilat rrethana gjinden.
Gliha po ashtu tregoi arsyet e mungesës së disa prej lojtarëve kyç të skuadrës, si kapiteni Amir Rrahmani e Edon Zhegrova.
“Të gjithë e dinë situatën që po luajmë në një kohë të pazakontë. Kjo ka sjellë shumë probleme në mënyrën si janë qasur klubet. Ka pasur edhe vendime personale të lojtarëve. Mungesa kemi pothuajse çdoherë. Ndeshja e nesërme do të jetë e katërta e imja. Nga këto katër ndeshje kam pasur vetëm nëntë stërvitje. Pyeteni këdo nëse mund ta përgatisësh ekipin për katër ndeshje me nëntë stërvitje. Ne po tentojmë më të mirën. Duhet të pajtohemi me rrethanat në të cilën gjendemi. Pres një ndeshje të mirë nesër”, tha Gliha. /Zëri