Rama: Ndërtimi i rrugës “Jim Xhema” do të shkarkojë trafikun e kryeqytetit
Kryetari i Prishtinws, Përparim Rama, ka vizituar rrugën “Jim Xhema” në Prishtinë, ku nga aty ka treguar edhe një herë rëndësinë e madhe që ka ndërtimi i kësaj rruge për, siç tha ai, të gjithë qytetarët e vendit.
Për banorët e lagjes “Kalbria”, të cilët ankohen për kundërmimin e ujërave të zeza tash e 11 vjet, Rama tha se ndërtimi i kësaj rruge “zgjidh problemin serioz dhe shumëvjeçar të kolektorit”.
“Banorët e lagjes ‘Kalabria’ dhe ‘Prishtina e Re’ janë ankuar me të drejtë për rrezikshmërinë e lartë të kanalizimit të hapur”, ka deklaruar kryetari Rama.
Gjithashtu, Kryetari Rama, tha se ndërtimi i rrugës “Jim Xhema” apo rrugës “A”, do të shkarkojë trafikun e kryeqytetit.
“Rruga ‘Jim Xhema’ do të shkarkojë dukshëm trafikun në kryeqytet, pasi do të ndërlidhë lagjen ‘Kalabria’ me lagjen ‘Prishtina e Re’. Gjithashtu edhe pjesa e rrugës ‘B’ do të lidhet me rrugën ‘Jim Xhema’. E në anën tjetër, do të lidhet me Unazën e re të kryeqytetit”, deklaroi Rama.
Në fund, ai tha se “kryeqyteti është i të gjithëve, pa dallim”, teksa paralajmëroi se “transformimet për të mirën e përgjithshme nuk do të ndalen”.