Hidhet poshtë kallëzimi penal për kallëzim të rremë ndaj Islam Qerimit dhe Xhemajl Veliqit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hudhur poshtë kallëzimin penal kundër Islam Qerimit dhe Xhemajl Veliqit të ushtuar nga Salem Lepaja për “lajmërim apo kallëzim të rremë”.

Lepaja më 24 korrik 2023 kishte deponuar kallëzimin penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë me pretendimin se Qerimi dhe Veliqi kanë bërë kallëzim të rremë kur këta dy të fundit e kishin denoncuar në Prokurori për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Salem Lapaja kishte qenë kryesues i Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” derisa Islam Qerimi është dekan në Fakultetin Juridik e Xhemajl Veliqi është asistent në këtë universitet.

Qerimi dhe Veliqi kishin ngritur kallëzim penal ndaj Lepajës me pretendimet se ky i fundit kishte votuar pro mbajtjes së zgjedhjeve në Fakultetin Juridik në Universitetin e Mitrovicës por nuk e kishte nënshkruar vendimin për ta mbrojtur kolegun e tij, Agron Beka që ishte dekan në atë kohë. Po ashtu, dy profesorët pretendonin se Salem Lepaja si Kryesues i Këshillit Drejtues i kishte injoruar kërkesat për të caktuar në rend dite diskutimet për pagat e marra nga dekani i Fakultetit Juridik, Agron Beka.

Edhe emisioni “Betimi për Drejtësi” e kishte trajtuar problemin e mosnënshkrimit të vendimit për të çuar fakultetin në zgjedhje të brendshme nga Salem Lepaja.

Prokuroria ka ardhur në përfundim se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se Qerimi dhe Veliqi kanë kryer veprën penale.

“ Kjo sepse në kohën kur kanë parashtruar kallëzimin penal kishin bashkëngjitur provat e përshkruara më lartë dhe mbi bazën e tyre kishin menduar se Salem Lepaja dhe Agron Beka kishin kryer veprat penale”, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë për hudhjen e kallëzimit penal.

Sipas Prokurorisë, fakti se ishin pushuar hetimet ndaj Lepajës e Bekës nuk do të thotë se kallëzimi penal i Qerimit dhe Veliqit ishte i rremë.

“As fakti se të njëjtit kanë qenë me profesion juristë nuk do të thotë se kanë qenë në dijeni se Salem Lepaja nuk kishte kryer veprën penale, sepse vlerësimin e veprave penale dhe elementeve të posaçme të tyre e bën Prokurori i Shtetit”, thuhet më tej në arsyetim.

Sipas Prokurorisë, mjafton që në kallëzim penal të përshkruhen veprimet e dyshimta të të dyshimtit dhe të njëjtat t’i mbështesë me prova.

“Ndërkaq, vlerësimin se a përben vepër penale apo jo është detyrë ekskluzive e prokurorit të shtetit…Prokurori i Shtetit ka hudhur kallëzimin penal duke u bazuar në nenin 84, paragrafi 2, nënparagrafi 2.2 i KPP-së sepse nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se është kryer vepra penale”, thuhet në fund të arsyetimit e nënshkruar nga prokurori Kastriot Berisha.

“Betimi për Drejtësi”, të transmetuar më 18 shkurt 2023 me titull “Përplasjet institucionale për Agron Bekën”, në të cilin ishin shpalosur pretendimet për shkeljet ligjore nga Beka dhe të tjerë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.