KDI: Institucionet e Kosovës pa vullnet për progres

Stagnimi për luftën ndaj korrupsionit, mungesa e transparences së Qeverisë në dialogun Kosovë – Serbi, mos efikasiteti i punës së Kuvendit të Kosovës kanë qenë disa nga pikat të cilat Instituti Demokratik i Kosovës i ka prezantuar në konferencë për media, për të nxjerrë përfundimin se institucionet, sipas tyre, janë pa vullnet për progres.

Vlerësimet e KDI-së vijnë bazuar në vërejtjet e Raportit të BE-së për Kosovën , teksa u dhanë rekomandimet për përmirësim të gjendjes ndaj korrupsionit, drejtësisë, prokurimit publik, sinjalizimit, punës së Kuvendit e dialogut.

“Mungesat  pajustifikuara të deputetëve në seancat parlamentare dhe mbledhjet e komisioneve mbeten problematika kryesore, që po minon efikasitetin e këtij institucioni. Në  mënyrë që Kuvendi të arrijë të përmbushë funksionin e tij, duhet të zbatojë mekanizmat në fuqi dhe të krijojë mekanizma shtesë që sanksionojnë sjelljen e papërgjegjshme të deputetëve. Në rastet kur deputetët mungojnë pa arsye në seanca Kryesia duhet të zbatojë Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit për ndalim të kompensimit dhe shpenzimet mujore të deputetëve”, thuhet në komunikatën e këtij instituti.

Sipas tyre, mungesa e shkarkimeve në sistemin gjyqësor në rastet e performancave të dobëta dhe mungesa e konfiskimit të pasurisë së kundërligjshme janë dy problemet kyçe.

“Ndërsa, sa i përket kontrollit financiar të subjekteve politike, u tha që edhe një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, Zyra për Kontroll Financiar të Subjekteve Politike nuk është konsoliduar në aspektin organizativ, buxhetor apo atë ligjor. Cakolli potencoi që Zyra nuk ka rekrutuar 70% të stafit dhe ka pasur vetëm tre auditorë për kontroll të raporteve financiare të partive”, vlerëson KDI.

KDI ka pasur kritika edhe në shpenzimet publike nëpërmjet prokurimit.

“KDI ngrit shqetësime se përderisa shpenzimet publike përmes prokurimit kanë pësuar ulje të konsiderueshme tre vitet e fundit, përdorimi i kësaj procedure ka treguar një trend të rritjes e që e tejkalon prej rreth 38% përdorimin e saj në kohë të pandemisë [2020], e cila në kohë emergjence kishte arritur vlerën prej 56.8 milion euro, respektivisht rreth 21.7 milion euro më pak”, vazhdon komunikata.